Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se BE-ja mund të luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e një armëpushimi afatgjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke ndihmuar gjithashtu në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me programin bërthamor të Teheranit.
Në një prononcim për POLITICO, Kallas tha se Bashkimi Evropian disponon si ekspertizën diplomatike ashtu edhe kapacitetet teknike për të kontribuar në konsolidimin e çdo marrëveshjeje të ardhshme.
“Që nga operacionet detare të BE-së deri te përvoja e fituar në negociatat bërthamore, Bashkimi Evropian mund të luajë një rol konkret për ta bërë çdo marrëveshje të qëndrueshme”, tha ajo.
Deklaratat e Kallas vijnë ndërsa ajo ndodhet për një vizitë në Pakistan, vetëm pak ditë pasi Uashingtoni dhe Teherani arritën një marrëveshje të brishtë për ndalimin e luftimeve dhe rihapjen e Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë.
Sipas Kallas, me ndërmjetësimin e Pakistanit po zhvillohen përpjekje diplomatike për të zgjatur armëpushimin dhe për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, e cila ishte bllokuar për rreth tre muaj për shkak të kërcënimeve iraniane ndaj anijeve tregtare.
Megjithatë, kryediplomatja europiane theksoi se çdo marrëveshje e përkohshme duhet të pasohet nga negociata më të thella që të adresojnë programin bërthamor iranian, arsenalin raketor dhe aktivitetet e grupeve aleate të Teheranit në rajon.
Ndryshe nga SHBA-ja dhe Izraeli, vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake në konfliktin me Iranin. Refuzimi i disa aleatëve europianë për të lejuar përdorimin e bazave amerikane në territorin e tyre për operacione luftarake shkaktoi tensione me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
Kallas argumentoi se pikërisht për shkak të rolit që BE-ja ka luajtur në negociimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të njohur si JCPOA, blloku europian mund të kontribuojë edhe në fazën e re të dialogut.
Objektet kërkimore bërthamore iraniane pësuan dëmtime gjatë sulmeve amerikano-izraelite, por rezervat e uraniumit të pasuruar mbeten ende në territorin iranian. Monitorimi i tyre pritet të vazhdojë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, e cila ka luajtur një rol kyç në mbikëqyrjen e programit bërthamor të Iranit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë roli do t'i lejojë Uashingtoni Bashkimit Evropian në negociatat pas konfliktit. Në deklaratën e publikuar pas takimit mes Kallas dhe ministrit të Jashtëm pakistanez, Muhammad Ishaq Dar, nuk u përmend ndonjë rol i ardhshëm i Europës në procesin negociator.
Komente









