Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të testojë unitetin e vendeve evropiane dhe të krijojë përçarje brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian përmes frikës dhe tensioneve, thotë ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.

Në një intervistë për Corriere della Sera, kreu i diplomacisë estoneze, vendi i të cilit ndan një kufi prej 294 kilometrash me Rusinë, komentoi incidentin e fundit me dronin rus që goditi territorin e Rumanisë dhe paralajmëroi se veprime të tilla mund të përsëriten.

Si e vlerësoni dronin rus që goditi Rumaninë?

“Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që ndodh dhe gjithçka tregon se nuk do të jetë as e fundit. Kjo është realiteti i Rusisë së sotme. Duket se Putini është vërtet i dëshpëruar dhe nervoz. Po shohim se si po shton përdorimin e dronëve edhe pranë vendeve baltike dhe territorit të NATO-s.”

Pse po ndodh kjo?

“Ai dëshiron të ushtrojë më shumë presion mbi NATO-n dhe të ushqejë frikën për një përshkallëzim të konfliktit. Putini po përpiqet të na testojë. Ai po kërkon të kuptojë nëse mund të na ndajë si evropianë.”

Si duhet të reagojnë NATO dhe Bashkimi Evropian?

“Natyrisht, duhet një dënim i plotë i këtyre veprimeve. Por mbi të gjitha duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos lejojmë që dikush të ushtrojë presion mbi Ukrainën për të ndaluar goditjet ndaj objektivave në territorin rus. Kievi ka të drejtën e plotë ta bëjë këtë. Përkundrazi, duhet të rrisim presionin ndaj Vladimir Putinit, sepse e dimë se ai nuk ndodhet në një pozicion të favorshëm, edhe pse vazhdon të ndjekë të njëjtat objektiva. Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian po vepron siç duhet. Paketa e re e sanksioneve kundër Rusisë është pothuajse gati, ashtu si edhe masat e tjera në mbështetje të Ukrainës.”

A po zbehen shanset për negociata me Moskën?

“Në takimin informal të ministrave të Jashtëm më 27 dhe 28 maj në Qipro pashë një konsensus të plotë për një çështje thelbësore. Askush nuk u shpreh në favor të hapjes së negociatave me Putinin në këtë moment. Përkundrazi, të gjithë e kuptojnë shumë qartë se tani duhet ushtruar më shumë presion ndaj tij. Ndoshta në të ardhmen Rusia mund të ndryshojë kurs dhe atëherë mund të jetë e gatshme për negociata. Por jo tani. Sulmi me dron ndaj Rumanisë nuk e ndihmon Putinin. Përkundrazi, tregon se presidenti rus nuk po mendon për uljen e tensioneve.”

Në Qipro u diskutua edhe për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Duket se nuk ka dakordësi për afatet.

“Më parë ishte kryeministri hungarez Viktor Orbán që bllokonte gjithçka. Tani do të jetë interesante të shihet se çfarë do të bëjnë vendet që fshiheshin pas qëndrimit të tij. Ato do të duhet të dalin hapur. Ne duhet të synojmë hapjen e negociatave formale me Ukrainën. Mund të fillojmë menjëherë me kapitullin e parë dhe më pas të vazhdojmë me temat e tjera në Këshillin e Ministrave të planifikuar për 16 qershor.”

A është ky një objektiv realist, duke pasur parasysh ndarjet mes vendeve anëtare?

“Të gjithë jemi dakord që Ukraina duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Debati është për kohën. Ka vende që shohin me skepticizëm një përshpejtim të procesit. Por ne nuk mund të presim më shumë se dy vjet. Edhe Evropa ka nevojë për Ukrainën. Kjo është një çështje e sigurisë së përbashkët të rajonit.”

Kush po e ngadalëson procesin? Italia, Spanja?

“Nuk dua të komentoj qëndrimet e qeverive të tjera. Është e vërtetë që ka disa çështje për t’u zgjidhur. Për shembull, përparësia që do t’i jepej Ukrainës mund të shtynte në plan të dytë pritshmëritë e vendeve të tjera kandidate, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Po ashtu, ekzistojnë shqetësime në disa sektorë ekonomikë, veçanërisht te fermerët që kanë frikë nga konkurrenca ukrainase. Megjithatë, ajo që kemi përpara është para së gjithash një zgjedhje politike dhe duhet të merret shpejt.”

A është ky qëndrim shumicë brenda Bashkimit Evropian?

“Po, por për të çuar përpara zgjerimin nevojitet miratimi i të gjitha vendeve anëtare.”/CorrieredellaSera