Tiranë- Zëvëndësvministrja e Mjedisit, Bejko, priti në një takim pune Misionin e Bankës Botërore të kryesuar nga Z. Daniel Kull, Programi për Zbutjen dhe Adaptimin e Rrezikut të Katastrofave dhe Znj. Drita Dade përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi finalizimin dhe miratimin e draftit të "Strategjia Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave dhe Mbrojtjes Civile 2014-2018" përmes së cilës janë përcaktuar prioritetet e ndërhyrjeve në zonat e riskut dhe mekanizmat e alternativave për zbutjen e impakteve ekonomike dhe sociale të katastrofave natyrore.
 
Në fjalën e saj, Znj. Bejko konsideroi shumë të rëndësishëm finalizimin dhe miratimin e kësaj strategjie në nivel kombëtar, duke vënë theksin në bashkëpunimin ndërinstitucional.
Miratimi i kësaj strategjie shihet me prioritet nga Ministria e Mjedisit pasi Strategjia Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave dhe Mbrojtjes Civile 2014-2018 do të shërbejë për drejtimin e investimeve në 2015-2018.
Ministria e Mjedisit, institucioni përgjegjës për vendosjen standarteve mjedisore dhe adoptimin e programeve ndaj ndryshimeve klimatike do të punojë për të harmonizuar komponentët strategjikë me planin e investimeve në fushën e ndryshimeve klimatike.
"Kjo strategji"- theksoi Bejko, gjatë takimit, "do të shërbejë njëkohësisht si udhërrëfyes për ministritë e linjës pasi kjo e fundit ka identifikuar tashme 5 komponentë strategjikë dhe planin e veprimeve prioritare si dhe përfshin rekomandime në lidhje me financimin e kërkuar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në këtë drejtim". /ATSh/