“Kush e përdor biznesin për mirë, për mirë i qoftë kush jo, e di Zoti se ç’mund të bëjë me të” u përgjigjet ai, atyre që e kritikuan. Videoja e pazakontë ka bërë xhiron e rrjeteve sociale. Në pamje shfaqet At Spiro Katundi teksa bekon të pranishmit në një pikë bastesh.
Reagimi i plotë i priftit At Spiro Katundi
Është e vërtetë që ka njerëz që nuk i njohin shërbesat dhe kjo është për të ardhur keq. Kisha ortodokse ka një numër të madh shërbesash. Ne iu përgjigjemi njerëzve që nga themelet e godinës dhe biznesit. Më pas kush e përdor biznesin për mirë, për mirë i qoftë kush jo, e di zoti se ç’mund të bëjë me të. Ne i përgjigjemi për investimet që ata kanë bërë dhe japim bekimet tona, në mënyrë që ata të kenë mirësi.
Kjo shërbesë, që quhet shërbesa e najazmës, njihet ndryshe si shërbesa e ujit të bekuar. Në këtë rast edhe kudo ku bëhet një shërbesë e tillë familjare bëhet me njerëz të afërm të një familjeje. Keqinterpretimi ka ardhur nga padija dhe më pas kjo është keqinterpretuar. Ne nisemi nga bekimi dhe më pas kushdo mund të mendojë sipas asaj që do. Është thjesht një bekim për mirësi dhe mbarësi. Transmetojmë vetëm bekimin e zotit.
Unë nuk mund të gjykoj asnjë njeri por vetëm të jap bekime. Kushdo që është nxituar e ka për veten e vet. U jap bekimin të gjithëve, dhe do të vazhdoj punën time si prift që jam dhe do të jap bekime aq mundësi sa kam. Unë nuk shkoj nëpër loto që të bekoj ata që luajnë skedina, por thjesht do të shkoj të bekoj biznesin e tyre përsa ata e përdorin për mirë.
Në të kaluarën kam qenë pjesë për shumë vite me estradën e Korçës që fëmijë e derisa u rihap kisha dhe e drejta fetare. Babai im ka qenë prift dhe ka shërbyer në këtë kishë. Unë mendova që të ndiqja traditën e familjes që vijon prej tre brezash. Tashmë kam 25 vite që jam klerik në kishën ortodokse. Jam më i vjetëri në qytetin e Korçës nga klerikët.
d.b/shqiptarja.com
