TIRANE- Besimtarët myslimanë bektashianë kremtojnë sot, ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Nevruzit. Dita e Sulltan Nevruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Kjo ditë nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe.

Sipas sektit bektashian festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Me rastin e kësaj feste në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane zhvillohet ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uron të gjithë besimtarët me rastin e Sulltan Nevruzit.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, mori edhe urimet e krerëve të lartë të shtetit, për Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindja e të madhit Imam Aliu, e cilësuar në botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes së madhe.

Mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë u vizituan nga kryeministri Sali Berisha.

"Bektashizimi shqiptar është një histori e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri, dinjitet dhe emancipim. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ata që shkruajtën doktrinën tonë kombëtare ishin vëllezërit bektashinj Frashëri. Në çdo kohë bektashizmi ka qenë një frymëzim për shqiptarët për liri, dinjitet e emancipim. E falënderoj zotin që këtë ditë të shenjtë u dha mundësi shqiptarëve të themelojnë 21 vite me parë demokracinë , sistemin e vlerave dhe të ardhmes"- tha Berisha.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, mori sot urimet edhe nga  Presidenti Nishani, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, drejtues të lartë të Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe Erion Braçe si dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi.

FESTA E NEVRUZIT
Festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashi, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet, në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për njerëzimin që shpreson për një të ardhme më të mirë.
Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, është dekretuar si festë kombëtare 16 vite më parë. Sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë Luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emer nga themeluesi i saj, Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit. Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qëndra të lëvizjes kombëtare.

Pas Kongresit të Lushnjës, bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit '91

(sg/shqiptarja.com)