Gjykata e lartë refuzoi sot (25 korrik) ankimin e Fredi Belerit duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Apelit për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Pas shqyrtimit të çështjes në Dhomë Këshillimi, Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimit të gjyqtarit të Apelit të Posaçëm të datës 14 korrik që la në qeli pa afat kryebashkiakun e Himarës të zgjedhur më 14 maj 2023.

Seanca e 11 ditëve më parë në apelin e posaçëm u ndoq nga afër prej ambasadores greke në Tiranë.Më herët Gjykatat e Posaçme, ajo e shkallës së parë dhe e Apelit kanë rrëzuar kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur më 14 maj teksa mbahej në paraburgim. 

Fredi Beleri  u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit ku doli edhe fitues për Bashkinë e Himarës. Ai ra në pranga për korrupsion pasiv në zgjedhje, me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, teksa ky i fundit u lirua në fillim të qershorit, për shkak të gjendjes shëndetësore. Avokatët kishin kërkuar një masë më të lehtë në rekursin e paraqitur në gjykatën e lartë, por trupi gjykues nuk i pranoi argumentet e tyre.

Pas arrestimit më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve, bashkë me anëtarin e shtabit të tij elektoral Pandeli Kokaveshi, Beleri ka paraqitur disa herë kërkesa në gjykatë duke kërkuar lirimin, por pa rezultat. Ai akuzohet për korrupsion në zgjedhje, pasi negocioi me një agjent të infiltruar nga prokuroria për blerjen e votave të 8 qytetarëve të Himarës kundrejt shumës prej 40 mijë lekë.

Paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsa dosja e Belerit, nga prokuroria e Vlorës i kaloi për kompetencë SPAK-ut. I arrestuari tjetër Pandeli Kokaveshi është liruar nga burgu për shkak të një operacioni në zemër, ndërsa Greqia ka reaguar ashpër disa herë për arrestimin e Fredi Belerit. Pasi u mandatua nga KQZ, ai nuk arriti të betohet në këshillin bashkiak pasi burgjet nuk i dhanë leje dalje.