Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka identifikuar evidentuar 235 banesa pa dokumentacion pronësie, ndërsa puna në terren do të vijojë në të gjitha fshatrat e Bashkisë Himarë deri më 25 nëntor, sipas kalendarit të publikuar më herët.

Drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Dhërmiut dhe specialistët që po kryejnë evidentimet.

“Ky proces është edhe për ndërtesat pas vitit ’91, edhe për shtëpitë e vjetra. Ne aktualisht po punojmë në 9 fshatrat e parë, duke filluar me Palasën dhe do të vijojmë për të përmbyllur gjithë fshatrat e tjerë”, u shpreh Goxhobelli gjatë takimit me banorët.

Në fokus të aksionit janë si banesat e vjetra të ndërtuara para vitit 1991, ashtu edhe objektet informale të ndërtuara pas vitit 1991, të cilat plotësojnë kriteret ligjore për trajtim dhe legalizim.

Nga janari deri në gusht 2026 janë lëshuar rreth 26 mijë vendime legalizimi në rang vendi, një shifër e përafërt me totalin e vendimeve të dhëna gjatë gjithë vitit 2025.

Një risi e rëndësishme lidhet edhe me zbatimin e VKM-së nr. 600, datë 16.09.2026, e cila krijon mundësinë që gjatë këtij procesi të trajtohen edhe objekte informale që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga legjislacioni, edhe në rastet kur qytetari nuk ka paraqitur më parë kërkesë për legalizim.

Për banorët që përfshihen në këtë proces kryesisht nga ASHK-ja, nuk do të aplikohet tarifë shërbimi, duke synuar lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave deri në përfundimin e trajtimit të pronës.