-Kryeparlamentari Veseli priti ambasadoren e Belgjikës, Anick Van Calster-
PRISHTINË, 2 Mars /ATSH/.-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti të hënën në një takim ambasadoren e Belgjikës në Bullgari, jorezidente për Kosovën, Anick Van Calster, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive, si dhe për mundësitë e avancimit të tij.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që Belgjika ka dhënë dhe po jep për Kosovën dhe njëkohësisht kërkoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit belg për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Veseli e njohu diplomaten belge për zhvillimet aktuale në vend, si dhe për angazhimet e institucioneve të Kosovës për krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ambasadorja Van Calster shprehu angazhimin e saj për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës. Ajo vlerësoi zhvillimet e deritashme në Kosovë në shumë fusha dhe shprehu gatishmërinë e shtetit të saj për ta vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e avancimit të raporteve ndërmjet dy parlamenteve dhe konkretizimit të tij në segmente të veçanta./b.j//a.ke/












