TIRANE- Belgjika ka kufizuar lëvizjen e shqiptarëve drejt vetes. Shqiptarja.com sjell një formular trefaqësh, që duhet të plotësohet nga ata që duan të vizitojnë shtetin belg, e brenda së cilit, duhet të ketë si të dhëna për aplikuesin, ashtu për atë që e pret, por edhe për lejen që do të japë komuna apo bashkia. Ndryshe, shqiptarët nuk do të pranohen në Belgjikë. Eshtë njëlloj, si të rikthehet regjimi i vizave.

 
Irena Gj. është një shqiptare që jeton në Belgjikë. Dje shkruan në email për të shprehur shqetësimin personal se familjarët e vet nuk i merr dot për festat e funditvitit aty ku jeton. Arsyeja? Sipas saj, kthimi i 55 azilantëve nga Belgjika në Shqipëri ka prishur shumë punë. Autoritetet e lokalitetit ku ajo banon kërkojnë që për çdo të ardhur nga Shqipëria, të plotësohen disa dokumente shtesë, që do të paraqiten pranë bashkisë apo komunës. Në të gjitha këto dokumente, që firmosen nga aplikuesi, duhet të shkruhen të dhënat personale, koha sesa do të qëndrojnë në Belgjikë, madje edhe të ardhurat.
Komuna ose Bashkia sipas saj, duhet të japin OK për këtë dokument. Më pas këto dokumente, të firmosura apo të vulosura nga komuna, duhet ti dërgohen në Shqipëri personave përgjegjës. Ata mund të marrin një linjë udhëtimi direkte, apo ndërmjetëse, (duke kaluar më parë në një vend evropian) por në xhep, veç pasaportës biometrike, të njohur nga shteti shqiptar dhe komuniteti evropian, duhet të kenë edhe këtë dokument. Në rast të kundërt, nuk do të lejohen në Belgjikë.

"Ka vetëm dy javë që janë vënë në dispozicion për këtë lloj procedure. Pres që për fundvitin për festat, pranë meje, të vijnë mamaja dhe motra. Komuna akoma nuk më ka kthyer përgjigje, nëse e mirëpret apo jo formularin dhe nëse këtij të fundit i jep OK. Por nëse unë pres biletat e avionit, ndoshta ata mund ti kthejnë, se diçka nuk ka qenë konform rregullit. Kjo do të thotë, se do të humbim edhe lekët e biletave" është shqetësimi i 36 vjeçares, e cila sipas gjithë kritereve dhe rregullave jeton në Belgjikë.

HISTORIA
Duket se është një histori e rikthimit të marrjes së lejes, apo historisë së rikthimit të vizave për shqiptarët, edhe pse në pasaportat e tyre nuk shënohet asgjë. Shqiptarja.com, disponon dokumentin që kërkohet nga autoritetet në Belgjikë. Bëhet fjalë për një "Obligim formal" sipas autoriteteve belge, i bazuar në legjislacionin e atij shteti në ligjin e 15 dhjetorit 1980 përsa i përket rregullave për të cilat "duhet të kesh akses në territor, qëndrimin, apo rezidencën dhe lëvizjen e të huajve".
Në dokument shënohen të dhënat personale të shqiptarit që aplikon, me adresën, numrin e telefonit, numrin e pasaportës, numrin e telefonit, adresën dhe gjithcka tjetër që njeriut që është mikëpritës, apo atij që në dokumente vërehet si "garantues" i lëvizjes së këtyre qytetarëve nga Shqipëria drejt Belgjikës. Ndërkohë nga ana tjetër firmos se të gjitha shpenzimet, kostot, qëndrimi, sigurimi shëndetësor apo përgj¬egjësitë, mbahen ose nga vetë personi që plotëson formularin, ose nga personi mikëpritës.

Ndër të tjera, në formularin e kërkuar, thuhet se duhet të shprehen se përsa kohë do të qëndrojë në shtetin belg mysafiri, i cili në fakt vjen nga Shqipëria, cili është qëllimi i vizitës së tij, dhe cilat janë shpenzimet që do të bëjë. Edhe për shpenzimet, kërkohet të dihet se cilat janë të ardhurat që ai ka në bankë, nëse arrin ti përballojë ato ose jo; e sipas formularit, duke e firmosur atë, të gjithë bien dakord për sa shkruhet e thuhet në dokumentin që jepet nga autoritetet belge.
Në fakt, nëse gjithçka refuzohet, ka një këshill tek i cili aplikuesit mund të ankohen dhe ky i fundit mund të shqyrtojë kërkesën e ankimimit brenda 30 ditëve pas dhënies së vendimit. Dhe gjithçka duhet të ndodhë brenda një kohe të shpejtë. Nëse ka ndonjë rast urgjente, sqarojnë dokumentet belge, mund të ketë edhe përjashtimi në rastet që duhet të shqyrtohen.

PJESA E DYTË
Pasi kërkohen të gjitha të dhënat për personin që ka aplikuar nga Shqipëria për qëndrimin e tij në Belgjikë, është pikërisht seksioni ku kryetari i Bashkisë apo komunës, duhet të japë disa opsione të tijat, për të shprehur me shkrim nëse e pranon apo jo një aplikim të tillë. Madje, për ta bërë këtë dokument të vlefshëm, ky i fundit, duhet detyrimisht të firmosë këto dokumente. Nëse firma e tij mbi dokument është pozitive, kjo do të thotë se të gjithë personat që do të shkojnë pranë të afërmëve të tyre në Belgjikë, mund të pranohen në këtë shtet. Madje, sipas formularit, në faqen dy të tij, do të vendoset edhe firma e zyrtarit dhe vula e institucionit që ai përfaqëson, madje që ka dhënë edhe lejen për këtë procedurë.

PJESA E TRETË

Formulari përfshin në pjesën e tretë edhe një aprovim që mund të jepet nga deputeti, ministri, apo zyrtari më i lartë i vendit ku aplikohet kjo leje që duhet për shqiptarët. Madje edhe përgjegjësia që mbahet në rast se shqiptarët, apo ata që kanë aplikuar, nuk kthehen në vendet e tyre të origjinës pasi u kanë përfunduar afatet e kohës së aplikimit sipas dokumenteve që janë shkruar e janë dhënë për rastin konkret. Edhe kjo bazohet mbi legjislacionin belg, e sipas dokumentit që sillet për herë të parë nga shqiptarja.com, në një ligj të vitit 1981, ku ministri apo zëvendësi i tij mban përgjegjësi për firmën e hedhur apo atë që mund të ketë ndodhur. Sigurisht edhe kjo është e shoqëruar me firmën dhe vulën e personave përgjegjës që kanë marrë përsipër ardhjen e shqiptarëve në Belgjikë.

PJESA E KATËRT

Ka edhe një pjesë të katërt të formularit që u përmbahet disa rregullave që do të aplkohen nga këshilli i qytetit të vendit ku kërkojnë të mbërrijnë këta njerëz. Dhe në fund formulari mbyllet me një shprehje kuptimplote: "që gjithcka është një obligim formal dhe që është një provë e mjaftueshme" për të gjithë ata që duan të presin këta qytetarë dhe më pas do ti kthejnë ata në vendet e origjinës, apo që këta qytetarë nuk do të kërkojnë asgjë tjetër.

DHE NË FUND

Irena, vajza që kontaktoi me shqiptarja.com, ka dy javë që ka plotësuar formularin deri në detaje. Qëndron prej kohësh në shtetin belg dhe asnjëherë nuk e ka pasur problem që për festat e fundvitit familjarët e saj më të shtrenjtë të jenë me të. Këtë vit, ka dy javë, siç thotë ajo që kur u kthyen 55 azilkërkuesit shqiptarë, që ka aplikuar pranë komunës ku banon për të marrë me vete për festat e fundvitit nënën e motrën. Deri tani nuk ka marrë përgjigje. Dhe nuk është e sigurt që do t'ia japin një përgjigje brenda kohës së nevojshme. Derisa të ketë këtë dokument në dorë, nuk pret dot bileta për të afërmit e vet. "Eshtë thjesht një vendosje e sistemit të vizave, tani më, jo në ambasadat në Tiranë, por pikërisht në vendin ku jetojmë" thotë e dëshpëruar.

(ad.ti/shqiptarja.com)