BELGJIKË – Ish-Kryeministri Berisha ka gjetur rastin të denoncojë Kryeministrin Rama në takimin me krerë të lartë të Bashkimit Europian në Belgjikë, zhvilluar pas funeralit të Presidentit të PPE-së, Wilfried Martens.

Ndryshime në Policinë e Shtetit, lëvizjet në administratë dhe rritja e borxhit kanë qënë në fokus të denoncimit të tij, pasi i ka falenderuar për rekomandimin e statusit të vendit kandidat për në BE.

Sikurse vetë e ka bërë të ditur në mesazhin e publikuar në Fb me titullin: "Në Ghent, biseda të rëndësishme për Shqipërinë", Berisha rrëfen: “Bisedova me Presidentin e Këshillit Europian Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Europian Barroso dhe iu shpreha atyre mirënjohjen më të thellë për të rekomanduar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Në takimin me Presidentin “ad interim” të PPE-së, Joseph Daul dhe kryeministra, kryetare te partive popullore, unë i njoha ata me zemërimin e Edi Ramës me raportin e Komisionit Europian, vetëm se ky raport pohon suksesin e reformave gjatë qeverisjes së PD-së, gjë që bëri të mundur rekomandimin për statusin e vendit kandidat e që përgënjeshtronte fund e krye, trillimet e Ramës për “epokën e rrënimit”, siç e quan ai qeverisjen e PD-së.”

Berisha, gjatë mesazhit të tij në Fb për mbështetësit, rrëfen detaje të bisedës së bërë dhe pohon se “në këto biseda denonocova qëndrimet antikushtetuese, antikonsensus dhe antiligjore të mazhorancës Rama-Meta kundër institucioneve të pavarura dhe administratës publike e Policisë së Shtetit, zevendesimin e drejtuesve të Policisë me delinkuentë, trafikantë, komisionerë të PS-së.

Gjithashtu, në takime u fol per vendosjen me shpejtësi nga Rama-Meta të sistemit të kleptokracisë si dhe rritjen me 4 herë të borxhit dhe uljen me 4 herë të të ardhurave, duke shtyrë ekonominë drejt krizës,”- përfundon Berisha.

Redaksia online
(armanda.shtëmbari/shqiptarja.com)