Belle Air, mister falimenti
i një kompanie miliardere

Belle Air, mister falimenti<br />i një kompanie miliardere
TIRANE- Kompania e njohur italiane “Alitalia” është ofruar të shpëtojë pasagjerët shqiptarë, të “lënë në baltë” nga “Belle Air”, e cila shpalli falimentimin pa paralajmëruar klientët, që kanë prerë 52 mijë bileta udhëtimi deri në mars të vitit të ardhshëm. Veprimi i kompanisë gati-monopol të transportit ajror në Shqipëri, ka vënë në lëvizje dikasteret qeveritare gjatë ditëve të fundit. Ministri i Transportit Haxhinasto u shpreh djese do të merreshin të gjitha masat për të gjetur një zgjidhje për udhëtarët e kompanisë “Belle Air”, pasi kjo kompani pezulloi fluturimet. Ai ka pritur në një takim me përfaqësues të kompanisë ajrore “Alitalia”, për të diskuar pikërisht për çështjen e udhëtarëve të braktisur nga “Belle Air”, që, sipas deklaratave të përfaqësuesve të saj, ndodhet në vështirësi financiare. Gjatë takimit, drejtues të kompanisë italiane kanë shprehur gadishmërinë për të ndihmuar pasagjerët, të cilëve iu pezulluan fluturimet.

Nga ana e tij, ministri Haxhinasto e ka vlerësuar gadishmërinë e kësaj kompanie për t’u zgjidhur problemin pasagjerëve të “Belle Air”. Përfaqësuesit e “Alitalias” deklaruan se janë të gatshëm të mbulojnë të gjitha destinacionet e fluturimit që “Belle Air” nuk do të mbulojë më tej, duke ofruar edhe shërbimin e kompanisë tjetër italiane “Air One”. “Do plotësojmë nevojat e udhëtarëve të “Belle Air”. Mirëpresim pasagjerët që kanë blerë biletat para 22 nëntorit. Të gjitha nismat e reja do të komunikohen në vijim”, u njoftua zyrtarisht nga selia e kompanisë “Alitalia” në Romë. Ndërkohë, dje erdhi edhe reagimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës për çështjen “Belle Air”. Në të theksohet se është njoftuar për pezullimin e fluturimeve nga kompania “Belle Air” në të njëjtën ditë me median. “Jemi njoftuar për pezullimin më datë 24 nëntor. Për pezullimin u informuam në të njëjtën ditë me median. Shqetësimi i kuptueshëm është ndjekur hap pas hapi”, thuhet në njoftimin e Aeroportit.
 
Rimbursimi
Udhëtarëve, që kishin prerë bileta për të fluturuar me kompaninë ajrore “Belle Air” dhe që u lanë lënë në mëshirë të fatit nga kjo kompani, pasi ajo në një vendim të papritur pezulloi të gjitha fluturimet, u janë vënë ditën e djeshme në dispozicion avionë nga kompania italiane “Blue Panorama Airlines”. Por, sipas burimeve të brendshme të Aeroportit “Nënë Tereza”, midis saj dhe “Belle Air” duket se ka një kontratë me karakter të përkhshëm dhe të shkurtër.

Ndërkohë, “A1 Report” ka provuar të kontaktojnë Agjencinë e Aviacionit Civil për t’u informuar mbi mënyrën se si funksionon skema e rimbursimit të pasagjerëve të “Belle Air” nga kompania italiane “Blu Panorama Airlines”, por ky institucion u ka mbyllur derën, duke i drejtuar gazetarët tek Ministria e Transportit. Më pas, “Belle Air’ ka njoftuar se ata që kërkojnë të rimbursohen, mjafton të paraqiten në bankë me biletën dhe të marrin lekët mbrapsht. Kjo vlen vetëm për ata që e kanë kryer pagesën në rrugë bankare.
 
Falimentimi
Vendimi i kompanisë “Belle Air” për të shpallur falimentimin duket se fsheh diçka. Pikësëpari kjo kompani kishte një pozitë të privilegjuar në tregun ajror shqiptar, duke pasur një monopol të pastër. Kompania “Bell Air” zotëron 55% të tregut ajror në Shqipëri. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti që kjo kompani nuk paguante të gjitha detyrimet në Tatime. Shumica e fitimeve të saj ishin neto. Për më tepër kjo kompani kishte një fluks prej 830 mijë pasagjerë në vit, duke pasur një xhiro prej 115 milionë euro në vit. E thënë ndryshe kjo kompani kishte një xhiro ditore prej 315,000 euro. Por, ndërkaq, sipas burimeve të sigurta, “Belle Air” u ka borxh bankave private 8.5 milionë euro.

Kësaj i shtohet edhe shuma prej 890 milionë lekësh të reja (6.4 milionë euro) taksë kufitare të pasagjerëve, që kjo kompani duhej t’i kalonte shtetit, por që e ka mbajtur vetë. Edhe në seancën e Kuvendit të zhvilluar dje ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se gjatë 5 viteve të fundit kompania “Belle Air” nuk ka paguar tarifën prej 10 dollarësh për biletë në buxhetin e shtetit. Duhet shtuar se kompania ka shitur 55 mijë bileta deri në mars të vitit 2014, duke marrë paratë paradhënie dhe si rrjedhojë ka arkëtuar një shumë prej 8.5 milionë eurosh.

Por, dje u zhvillua seanca e parë gjyqësore për kërkesën e kompanisë “Belle Air” që të shpallë falimentimin. Të gjitha faktet e reshtuara më lart duket se e veshin me mister falimentimin e kompanisë “Belle Air”, i cili duket si një manovër për të shmangur shlyerjen e detyrimeve.  
Ndërkohë, në Kosovë njoftoi dje pezullimin e fluturimeve edhe filialja e saj “Belle Air Europe”.

Berisha nga Kuvendi: “Ju bllokoni fshehurazi llogari bankare"
Falimentimi i kompanisë ajrore “Belle Air” ngjalli debate edhe në seancën e Kuvendit, ku ish-kryeministri Berisha akuzoi qeverinë për bllokimin e llogarive bankare të kompanisë. “Shkoni e bllokoni llogaritë bankare të firmave fshehtas, tinzash. Dhe kjo e fundit është një aferë shumë e papastër. Pasi arritët marrëveshjen për pagesat, e grisët marrëveshjen, pse e grisët marrëveshjen, nëse ai nuk paguante atëherë e prishnit. E grisët marrëveshjen se bëtë marrëveshje me të që të hyni dhe ndonjëri prej jush në kompani s’ka asgjë tjetër.”- deklaroi Berisha. Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se kompanisë “Belle Air” iu dha mundësia të vijonte operimet e saj në treg duke shlyer detyrimet tatimore të grumbulluara. “Kam takuar personalisht përfaqësuesin e kompanisë “Belle Air” me kërkesë të tij, dhe dua të sqaroj situatën pasi kam biseduar edhe me ministrin e Transporteve dhe Kryeministrin. Në rast se do të ishin zbatuar ligjet në mënyrë strikte, ajo kompani do të kishte patur probleme me kohë. Për hir të qytetarëve që kanë paguar biletat e tyre prej kohësh dhe dëshirës për tu treguar fleksibël në dijeninë time janë zhvilluar takime. Mund të bëni interpelancë",- sqaroi kryetari i Kuvendit, Meta. 
 

 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit