BELSH - Në një takim me qytetarë të Belshit, kryeministri i vendit Sali Berisha tha se shtimi i vendeve të punës dhe rritja e investimeve mbeten prioritetet e qeverisë së tij. “Së bashku ne pak vite, po ndryshojmë gjeografinë e Shqipërisë. Këto ditë inaugurojmë tunelin dhe autostradën Tiranë-Elbasan.  Kjo është alternativa jonë, e zhvillimit e tërheqjes së investimeve. Në katër vitet që vijnë Shqipëria do të ketë jo më pak se 6 miliardë dollarë investime. Do të krijojmë 250 mijë vende të reja pune, falë projekteve të mëdha”,-tha kryeministri, duke shtuar se edhe për sektorin e bujqësisë do të ketë një 3-fishim të grandeve.
 
Statusi, Berisha: Rama shkelmoi interesin jetik të shqiptarëve
 Kryeministri Berisha kujtoi sërish se reformat e ndërmarra nga qeveria bënë të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Evropën. “Në pak vite,-tha Berisha,-ju me firmën tuaj, reformat tuaja, bëtë të mundur që Shqipëria të rekomandohet për statusin kandidat, që e bllokoi për një vit kreu i PS-së, duke shkelmuar interesin jetik të çdo shqiptari.”
 
Turizmi, Berisha: 7 milionë turistë 4 vitet që vijnë
 Kreu i qeverisë tha se programin e punësimit, e bazon në nxitjen e turizmit. “Turizmi punëson sot mbi 150 mijë shqiptarë, direkt dhe indirekt. Ne zotohemi se 4 vitet që vijnë, numri i turistëve do të arrijë në 7 mln dhe ne me uljen e TVSH-së në turizëm, do të bëjmë që Shqipëria, katër vitet që vijnë, të njohë një punësim së paku 30 për qind më të madh”,-theksoi ai.
 

Redaksia Online
(b.y/shqiptarja.com)