Masa e skandaleve që i jepen publikut për çdo ditë ka kaluar edhe hamendjen më të gjallë. SHISH, Rama, SPAK, Korrupsion dhe pak keyword-e të tjera përmenden pa fund dhe me një denduri të tillë sa nuk përbëjnë më as edhe habinë më të vogël. Përplasja dhe pamaturia e institucioneve e vijoi kaosin dhe në rastin e fundit me ish-kryetaren e SHISH, ku është parë jo vetëm rrjedhje e bisedave private, por edhe shpërfaqja e një akuze që flet për një vepër të rëndë (shfrytëzimin e resurseve të Institucionit kryesor të Sigurisë Kombëtare, sipas medias, prej titullares dhe ndihmën ndaj një biznesmeni të arrestuar).

Ekspertët, mes shumë sugjerimeve, shtuan në këto ditë edhe faktin se përpos shumë gjërave mund të kishte një hetim të kujdesshëm pa ekspozuar Shërbimin Inteligjent Shqiptar para aleatëve, pasi kjo e dëmton seriozisht reputacionin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s. Dhe, serioziteti i shtetit tonë, vërtetë u tregua i dobët: të mendosh zonja e mori masën e arrestit ndërsa ishte në takim në Baku me 70 krerë të shërbimeve partnere!

Ndërkohë që saga e korrupsionit nuk ka fund prej emrave, shifrave dhe thirrjeve sistematike nga SPAK. Problemi nuk është se njerëzit nuk besojnë më te Rama, por sistemi i ngritur dhe i mbajtur prej tij, nuk prodhon më arsye për t’u besuar. Dhe, jo vetëm i tij. Shumë vende kanë gati të njëjtin shqetësim. Vendimet merren në subjekte teknike (Strukturat e BE-së, Qeveri, Banka Botërore) ndërsa qytetari shqiptar thirret thjesht e vetëm që të votojë çdo 4 vjet, por status quo mbetet. Më pak fjalë, koncepti i filozofisë politike që demokracia bëhet me dhe për demos-in, tani është mirëfilli një “demokraci pa demos”.

Ndaj, njerëzit i besuan javët e para me të gjithë energjitë e tyre “Protestës së Flamingove”, si një përpjekje për t’ia rikthyer me anë të një organizimi në të ardhmen të efikasitetit të institucioneve, meritokracinë dhe sferën publike, qytetarit shqiptar. Paradoksi që jetojmë sot është i madh: Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt me BE-në dhe ka mbyllur dy syresh. Ka një rritje 3.7% në 2025 dhe pothuaj kaq parashihen në vitin 2026 dhe madje ka  investime të huaja që shkojnë në 1.84 miliard euro, por në Indeksin e Brishtësisë, futet në vendet me “stabilitet të moderuar, institucione nën presion” (Fragile States Index, 2025).

Ndërkaq, raporti i DASH-it vazhdon të theksojë se: korrupsioni, pastrimi i parave dhe zbatimi i dobët i kontratave mbeten pengesë kryesore e zhvillimit. Kriza politike në Shqipëri nuk zgjidhet më as me një qeveri teknike (kjo as nuk i shkon ndërmend Ramës edhe pas insistimit katër mujor të Flamingove) apo qoftë edhe me një SPAK më të fortë, por vetëm nëse krijohet një formë e re besimi; as tek një shef apo lider; por te procedura që e bën shqiptarin të ndihet pjesë. Këtë insiston sot cilido që e shikon gjendjen e lodhshme dhe sfilitëse shoqërore, ku e ka kapur korrupsionit dhe brutaliteti i lajmeve të këqija të çdo lloj natyre. “Cinizëm të ndritur” do e konsideronte filozofi Zhizhek, kur ne e dimë dhe e ndjejmë se institucionet janë të korruptuara, por prapë vazhdojmë t’u besojmë.

Ky është edhe paradoksi dhe kaotizmi shqiptar sot: Nuk jemi fare të paditur me atë që ndodh, por po përballemi me cinizmin tonë funksional që është i mrekullueshëm, përderisa nuk e trandin as emrat e arrestuar, as prangat, as videot pornografike e as kaosi i këtyre kohëve që kalon dhe hamendjen më të gjallë, por jemi në cinizmin e shoqërisë së performancës (Byung-Chul Han). Ky cinizëm po na vret nga pak përditë e më shumë./Javanews