Ben Andoni: Idiotët

Ben Andoni: Idiotët

Vendi ku u gjet trupi i pajetë i Eraldo Nevruzit

Umberto Ekos iu desh një shpjegim i gjatë për t’i shprehur publikut konceptin e tij për idiotët e internetit. ”Interneti iu ka dhënë hapësirë budallenjve” është shprehja që i referohet atij dhe fut në një thes arsyetimin që bëjmë ndaj njerëzve që nuk filtrojnë asgjë dhe flasin për gjërat që lexojnë pa i kontrolluar dhe pastaj i shpërhapin sipas kulturës së tyre dhe në jo pak raste me probleme të mëdha.

Por, argumenti ynë shkon diku tjetër: dëshira e tepruar, që duke iu kënaqur momentit apo ndodhive të rralla të përhapësh lajme dhe të shpërndash imazhe, pa asnjë kontroll, pa asnjë filtër, pa asnjë kod moral, pa marrë parasysh deri intimitetet sublime, siç është vdekja. E fundit e bërë mediatike kishte të bënte me rastin e protagonizmit të shoferit të një auto-ambulance, i cili përcolli imazhet e një viktime që mbajti të ngërthyer vëmendjen e publikut për monstruozitetin.

Epilogu na vjen nga raporti i policisë, që e trajtoi në këtë mënyrë: ”Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit E. N., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”.

Një familje dhe një shoqëri e tërë në pritje të zbardhjes së lajmit të të zhdukurit, kurse një njeri e zhbën duke e filmuar, thjesht që t’i këqyrin kufomën masivisht. A jemi kthyer vallë në një shoqëri nekrofile apo që kemi ankth për të përgjuar çdo gjë? Kënaqësia për të nxjerrë lajme të tilla është e shpeshtë për pak protagonizëm, po ku ta dish mbase edhe për përfitim. E tepruar pak, nëse do kishim idenë e dytë, pasi media shqiptare nuk është se paguan aq shumë apo nxit pagesa, kundrejt këtyre veprimeve. Protagonizmi mbetet argumenti më i besueshëm, ashtu si në raste të përcjelljes së informacioneve “të veçanta” në kohën e komunizmit tek autoritetet, ku do të kishe dhe përfitime. Ndërkohë që paralelisht kemi lajme të shumë njerëzve nëpër televizione, që vërtetë se nuk përcjellin foto por aludime por që ndërtojnë rregullisht narracione për bandat, krimet, lidhjet, që e kanë bërë një shoqëri si jona vetëm të rendë drejt një informacioni të pakontrolluar, duke ndikuar në format me negative të mundshme.

Të çudit se janë shumë të pakta e më të pakta rastet e përcjelljes së ngjarjeve pozitive, akteve të mëdha humane, mesazheve të shpresës, por edhe lajmeve që tregojnë për prodhimin vendas dhe angazhimeve të punësimit. Pak herë gjen qoftë dhe në reportazhet televizive, që tashmë edhe ato duket se luftojnë drejt klikimit, realitete të plota shqiptarësh. Që do të thotë mbijetesë dhe përshtatje pa shprehur lavdërime dhe realitete, që janë jashtë asaj që përcjellim për ditë. Në vend të kësaj kemi rendje për të fotografuar apo për të treguar lajme me impakte negative, ndërkohë që pakkush e merr mundimin të futet në sherre, polemika, të sugjerojë e të zgjidhë probleme apo të japi lajme pozitive. Rendja e përcjelljes së informacionit, që tërheq klikime, fiton mbi përpjekjen për ta filtruar dhe kujdesin për mesazhin, që mund të japë në publik.

“Ju lutem, mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim”, shkruante Umberto Eko për të njëjtin argument, pa marrë parasysh se kishte treguar antropologjinë e shoqërisë së sotme, që nuk ndalet më në marrëzi. Po jo si ‘marrëzia’ e Princit Lev Nikollajeviç Mishkin, personazhit të mrekullueshëm të “Idiotit” real të çdo kohe, ku mirësia, bujaria dhe sinqeriteti i pak individëve si ai, e bënte që para të tjerëve t’u dukej si teveqel dhe tutkun, jo sak kuptimit të vërtetë të atij personazhit të Dostojevskit, që përshkruante “njeriun e bukur me natyrë të mirë”.

Po ky njeri i bukur ka humbur nga interneti, nga makutëria e protagonizmit dhe të një shoqërie boshi, që përkthehet në rendje për lajmin, që të shkëput nga e vërteta. Kjo të shqetëson, kur dëgjon lajme të tilla ku fotografohet i vdekuri, thjesht për protagonizëm ndërkohë, që një shoqëri e tërë nuk reagon para malit të padrejtësive, që i kemi ngado. “Idiotët” e kohës sonë nuk u takon në kuptimin direkt ky përcaktim, por protagonizmi i shtuar që i ka bërë njerëzit “të presin” çdo lloj marrëzie përcjellë prej tyre. I gjen mediat në kërkim të këtyre surprizave, pa menduar se shumë kanë familje dhe miq, por edhe shumë njerëz që shikojnë pulsimin e shoqërive përmes këtyre lajmeve.

Dikur në komunizëm, në një përpjekje për përgjimet, përdoreshin lloj-lloj mënyrash për të treguar se çfarë bënte “i dyshuari”. Sot, ato metoda janë të materializuara në muzetë dhe me këtë rast tregohet dhe paranoja e atëhershme e autoriteteve të regjimit përmes Sigurimit për të penetruar deri në detajet më të errëta të përditësisë shqiptare. Vërtetë ajo kohë mbeti pas, por sot janë shtuar përpjekjet për të kumtuar çdo gjë, jo pak herë duke shkelur mbi çdo parim human. Kjo të vinte ndërmend, kur dëgjoje lajmin e shoferit, por edhe të tjerëve si ai, që në kohë dhe vende të ndryshme nguten të informojnë…për “shërbim publik”, pa kuptuar dëmin që u bëhet të tjerëve dhe vetë atyre, që bëjnë gjëra të tilla.

Sërish na vjen në ndihmë Dostojevski te “Idioti”: “Ligji i vetëshkatërrimit dhe ligji i vetëruajtjes janë njësoj të fuqishëm në racën njerëzore! Djalli njësoj sundon njerëzimin deri në kufirin, që ende nuk e dimë”. Është e vërtetë se ky limit ka humbur tashmë, madje edhe Umberto Eko, pas kërkesës së tij që media të kishte përditë seksione të dedikuara për kontrollin e lajmeve, e kuptonte se do duheshin ekipe njerëzish që ishte e pamundur (Madje edhe për Italinë e tij). Dhe, shton me pak ironi të paradoksit se: ”Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve”. Këtu qëllimi mbetet në dorë të lajmësit, që jo pak herë gabon…për pak protagonizëm kallp.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Kërkesa e opozitës për qeveri teknike, Alimehmeti në 'Repoltix': Duhet vullnet politikë nga PD dhe PS! Zarat janë hedhur! Faik Basha: E nevojshme

Kërkesa e opozitës për qeveri teknike, Alimehmeti në 'Repoltix': Duhet vullnet politikë nga PD dhe PS! Zarat janë hedhur! Faik Basha: E nevojshme