Ben Andoni: Nacionalizmi arkaik dhe provokimi i ri i ministrit Vulin

Ben Andoni: Nacionalizmi arkaik dhe provokimi i ri i ministrit Vulin

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin

Aleksandër Vulin, Ministri aktual i Brendshëm serb nuk mund të priste që presidenti i vendit të tij Vuçiç, t’ia shpjegonte publikut vendas presionin që iu bë në samitin e fundit për krahun e tij në sanksionet nga Rusisë, ku përfaqësuesit e 16 shteteve ia shprehën direkt në fytyrë mospëlqimin. Vulin i aftë për diversion dhe një figurë me shumë probleme në vendin e tij do e nxirrte edhe njëherë hidhur tezën e Botës serbe (Srpski Svet). Tashmë nuk bën më aq përshtypje reagimi i tij, por një gjë të habit sesa më shumë mëtojnë të afrohen vendet për “Ballkanin e hapur”, aq më shumë konfirmohet edhe ky angazhim nacionalist për ta futur të gjithë hapësirën, ku jetojnë serbët (e jo vetëm)… nën një frymë sllave.

Në fakt, sa herë që përfaqësues të vendeve të Ballkanit nisin një debat nacionalist përpara të huajve të tjerë, në çfarëdo niveli, do ndihet instinktivisht një psherëtimë e këtyre të fundit: O Zot, sërish këta! Dhe, Ballkanasit nuk i zhgënjejnë me sherrnajën. Serbët me shqiptarët. Bullgarët me maqedonasit e M.V. Kroatët me serbët dhe boshnjakët me të dy bashkë. Grekët që rrinë kinse më larg nuk ua përtojnë turqve, kurse këta të fundit u tregojnë muskujt ushtarakë e kështu me radhë. Turqit duket sikur e kanë fashitur tashmë teorinë e tyre të Neo-Otomanisë moderne, por janë prezentë në të gjithë Ballkanin, duke na e kujtuar me aksionin e tyre diplomatik qoftë direkt por edhe indirekt sesa “paqësi” kishte dikur nën ta…!!! “Çmenduria është diçka e rrallë tek individët – por në grupime, parti, popuj dhe breza të ndryshëm, ky është ligj”, shkruante Niçe tek “Përtej së mirës dhe së keqes”, në një ide të tij për llojin e nacionalizmit të kohës së vet.

Në këtë vazhdë, sa herë dëgjohet nga ndonjë politikan shqiptar ideja e “Shqipërisë së Madhe” i gjithë aparati burokratik i vendeve fqinje dhe më gjerë vihet në lëvizje. Zakonisht, një term, që preket direkt nga ideologë nacionalistë të rangjeve pa pushtet, ajo e trand median dhe zë peshë të madhe në marrëdhëniet diplomatike të vendeve fqinje. Shqipërisë i duhet ta  mohojë dhe e ka bërë disa herë këtë në çdo qark diplomatik. Madje, edhe kur nuk duhet. Nga ana tjetër, serbët, kanë vendosur ta tregojnë qasjen në një formë shumë më direkte dhe cinike. Paçka se rrëfimi nuk vjen nga presidenti Vuçiç që është gjithçka në Serbi dhe me ndikim shumë të madh, në strukturat serbe në Republikat fqinje, një personazh tjetër publik po e lodh publikun vendas dhe atë ballkanik. Aleksandër Vulin nuk priti që të fashitet aspak presioni ndaj presidentit të vendit të tij. I është kthyer sërish idesë për Botën Serbe duke deklaruar se: “…krijimi i botës serbe është një proces që nuk mund të ndalet” dhe të gjithë serbët, pavarësisht se ku jetojnë, të jenë të bashkuar dhe që të gjitha çështjet me interes kombëtar “t’i vendosin së bashku në Beograd, kryeqyteti i të gjithë serbëve”.

“Bota serbe do të thotë se serbët janë një popull i vetëm politik, që do të thotë se ne vendosim së bashku për çështjet më të rëndësishme kombëtare dhe që tregon se ne jemi gjithmonë aty me Serbinë tonë, ashtu siç është Serbia me ne, pavarësisht se ku jetojmë”. Fjala e tij u mbajt afër Novi Sadit, pak ditë më parë në Bukovc, ku sipas Vulin serbët u mblodhën për të “folur gjuhën e tyre, për të kënduar këngët e tyre, për t’u gëzuar që jemi bashkë dhe që ekzistojmë”!!! Dhe, sërish: “Dhe të gjithë ata që mendojnë se nuk ka serb dhe se nuk ka Botë Serbe apo se nuk duhet të ketë një të tillë, duhet të vijnë të na shikojnë, të shohin këta fëmijë tanë të bukur dhe të kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh, pasi ka serb dhe ku ka serbë ka një botë të tyre”, u sqarua ai.

Ai bëri edhe një provokim tjetër, kur sqaroi se Novi Sadi (kryeqyteti i Vojvodinës) është qytet i të gjithë serbëve dhe i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh mbiemrin e tyre, se është qytet i të gjithëve dhe se “askush nuk ka të drejtë të na ndajë”.

Por realisht kujt duhet t’i besohet? Nëse ka shumë njerëz nga tre vendet tona, që sot e përkrahin nismën e “Ballkanit të hapur”, si ka mundësi që një nga krerët kryesorë serbë mendon se në këtë hapësirë, ku mëtohet të futet i gjithë Ballkani, ata nuk mendojnë thjesht për hegjemoninë e tyre?! Në fakt,  kjo nuk është hera e parë që Vulin, si zyrtar shtetëror, flet për Botën Serbe, paçka se presidenti Aleksandar Vuçiç, të cilit Vulin i drejtohet vetëm me adhurim pohon se: Politika e “botës serbe” nuk është politikë e këtij vendi!! Madje, edhe i është dashur të thotë se: politika zyrtare shtetërore është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të pacenueshëm dhe se Beogradi nuk merret me kufijtë e të tjerëve. Një fakt, që e pohoi edhe në Bruksel së fundmi, kur përmendi numrin e artikujve ndaj vendit të tij. “Sa herë thonë se është Vuçiçi dhe Serbia sepse duhet të gjejnë fajtorin për gjithçka në Serbi. Prandaj është e rëndësishme që njerëzit të dinë se cila është politika zyrtare e Serbisë, e cila është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të pacenueshëm dhe ne nuk na interesojnë kufijtë e të tjerëve. Ne duhet të mbajmë anën tonë dhe të tregojmë në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë se cila është politika jonë”, tha Vuçiç.

Por paradoksi është mu këtu: Vulin gëzon besimin e madh të Vuçiçit dhe një pjesë e publikut mendon se ai thotë atë që mendon Vuçiç, por që nuk mundet ta shprehë dot. Dhe, jo më kot, ministri Aleksandar Vulin është një personazh që ia ka hedhur disa herë paq në Serbi. Një medium serb, KRIK, që shkroi pak vite më parë serinë e rrëfimeve që në Serbi njihen si “tezja nga Kanadaja” (tezja e të shoqes së Vulin), meritoi çmimin e dhënë nga Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjala ishte për një banesë, burimi i parave të së cilës kaloi i shqyrtuar nëpër tre prokurori dhe asnjëra prej tyre nuk përcaktoi se nga vinin paratë!!! Të gjitha procedimet ndaj ministrit janë pezulluar. Më parë, si drejtor i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Vulin ka lidhur një marrëveshje të dyshimtë në vlerë prej një milion eurosh me kompaninë “DBS Konsel security Service” për blerjen dhe vendosjen e kamerave të sigurisë në territorin e Kosovës, citohet Danas. Në vitin 2012, Qeveria e Serbisë e ka mbajtur dokumentacionin për prokurimin në konfidencë të plotë dhe refuzoi ta dorëzojë atë!!

Po pse personazhe të tilla ngrenë stuhi, gjithnjë dhe ku është interesi i tyre?! Zakonisht, ata u paraprijnë tollovive, që ndodhin shpesh më vonë. Në një farë mënyre, historia e nacionalizmit tek ne në Ballkan shpesh është e ngritur mbi kushte dhe ngjarje false dhe ushqyer nga miti, që në pellgun tonë i ke me shumicë, shkruhet në literaturën shkencore, megjithatë është një doktrinë shumë e fuqishme ekstreme me kapacitetin për të luajtur një rol themelor në krijimin e shteteve politike dhe për të ndikuar kursin e historisë njerëzore dhe Ballkani ishte vërtetë ushqim për këtë. Shtetet e Ballkanit u ngritën nga fuqitë e mëdha të kohës në Kongresin e Berlinit më 1878 respektivisht, Britani, Francë, Rusi dhe Austri. Shqipëria pati fatin më të keq, sepse i duhej të përpiqej veç të tjerave dhe me fqinjët e saj. Por, pa u shkëputur me kohën dhe argumentin tonë. Ardhja e Vulin dhe shumë  nacionalistëve si ai e ka një sens, ajo që lidhet me nacionalizmin atavik, që ka bërë shtrat në Gadishull pas viteve ’90. “Këta nacionalistë të rinj, shprehet Tetsuya Sahara, e kërkojnë identitetin e tyre politik kryesisht në ‘të vërtetën e historisë, të brumosur mbi bazën e realitetit të ‘imagjinuar’. Ata priren të pranojnë idetë e vjetra të brezit të gjyshërve të tyre. Ne mund të shohim në këtë dukuri një lloj atavizmi. Ky nacionalizëm atavist ushqehet dhe konsolidohet nga një media e shtypur postkomuniste dukshëm e njëanshme. Botuesit e epokës postkomuniste ribotuan në mënyrë aktive vepra parakomuniste, shumë prej të cilave ishin ndaluar ose trajtuar ftohtë nga regjimi.

Shkurtimisht, zhvillimet e fundit në nacionalizmin ballkanik në përgjithësi karakterizohen nga, në një mënyrë apo tjetër, një tendencë ataviste. Për shkak të elementeve të tij ‘të imagjinuara’, nacionalizmi atavist është i prirur të jetë më monstruoz se paraardhësit e tij të supozuar”, shkruan autorja tek “Balkan nationalism after 1989” duke na paralajmëruar. Po atëherë pse jeton mes nesh? Duket se Ballkani nuk ia del dot pa të tillë personazhe dhe pa një retorikë që politikanët e përshtasin kur kanë nevojë dhe në formën më të papërpunuar, që i nxjerr realisht si shumë të papjekur e fëminorë.  “Nacionalizmi është një gjë infantile. Është fruthi i njerëzimit”, shprehej dikur Albert Ainshtain, por kur ende nuk e kishte parë dhe parashikuar si duhet mynxyrën e Nazizmit. (Homo Albanicus)

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë