Ben Blushi: Edvini, kushëriri i Frojdit, që punon(te) në Presidencën shqiptare

Ben Blushi: Edvini, kushëriri i Frojdit, që punon(te) në Presidencën shqiptare

Edvin Schwartz, Ben Blushi

Edvin Schwartzi erdhi gjysmë ore me vonesë. Më solli një libër. Me titull Dhimbje. Nga një shkrimtare hebreje. Schwartz e mban mend kur luanim me zare në gjimnaz, e pyeta.

E mbaj mend, luanim pas palestrës te Sami Frashëri, tha Schwartzi.

Ti fitoje shumë kjo më acaronte, thashë unë.

Unë fitoja se nuk bëja hile,

Ti bëje shumë hile Schwartz,

Asnjë hile, i hidhja zaret drejt por kisha fat

Sa lekë ke fituar me zare?

Aq sa më duheshin, tha Schwartzi

Po ç’përgjigje është kjo sa ke fituar më thuaj

Aq sa më duheshin, tha Schwartzi, 10,20, 50 lekë

Unë maximumi një herë kam fituar 100 lekë, thashë unë

Çfarë i bëre, pyeti Schwartzi

Bleva 10 pite

Me djathë apo me mish ?

Me djathë

Edhe pitet me mish ishin të mira te Rruga e Dibrës, tha Schwartzi

Po tjetër ca loje luanim, thashë unë

Luanim me bileta autobuzi, tha Schwartzi

Se mbaj mend, thashë unë, ma kujto pak si ishte kjo me bileta

Bileta kishte gjashtë numra nga të cilët mund të zgjidhje vetëm tre

A po më kujtohet, kush kishte më shumë pikë fitonte

Po pra, nëse ti zgjidhje të parën të tretën dhe të pestën te bileta jote këto numra duhej të ishin më shumë se e para e treta dhe e pesta te bileta ime

Hajde luajmë edhe një herë, thashë unë

S'kemi më bileta autobusi, tha Schwartzi, tani biletat janë me shtatë numra jo me gjashtë

Epo unë nuk hyp më në autobuz, thashë unë

Normal se dikur më akuzoje mua për borgjez, tha Schwartzi

Ouu, as kjo nuk më kujtohet, thashë unë

Unë dilja nga liqeni me një qen anglez Setter gjuetie dhe sa më shihje më thoshe ke dalë shëtitje me qenin o borgjez

E ça thoshe ti?

Po pse vetëm ata të bllokut kanë të drejtë të kenë qen, këtë thosha

Schwartz ti tregon vetëm historitë ku del vetë mirë,

Epo ç’të bëj unë që ti s’mban mend, po atë Dyqanin e Çifutes te Pazari i Ri e mban mend?

Jo as këtë nuk e mbaj mend,

Ka qenë një kinkaleri dhe quhej Dyqani i Çifutes

Po pse quhej ashtu?

Sepse çifutja që shiste aty kishte numrin e kampit të përqendrimit të shkruar në krah

Si quhej çifutja?

Fortunia Coel

Schwartz pse nuk ike në Izrael kur u hapëm në 91?

Ma ke bërë dhe një herë këtë pyetje, tha Schwartzi

Kur ta kam bërë?

Në 9 dhjetor 1990

E çfarë të thashë?

Më the pse nuk ikën që këtej o çifut?

Epo po ta bëj prapë, pse nuk ike o çifut?

Unë kam lindur në maternitetin e Tiranës pse duhej të ikja, tha Schwartzi

Mund të ikje siç ikën të gjithë, thashë unë

Babai im ka lindur në Sarajevë, ne kemi ardhur nga Vjena, ca lidhje kishim ne me shtetin e Izraelit, tha Shwartzi

Po Roberti kur vdiq, pyeta unë

Në 2003

Sa libra ka përkthyer?

20, 30 ndoshta

Kur ka botuar Një qind Vjet Vetmi të Garsia Markezit, unë jam mrekulluar, thashë unë

Ai nuk është përkthimi më i mirë i babait, tha Schwartzi, se e ka përkthyer nga gjermanishtja jo nga origjinali

Po kush është përkthimi më i mirë i Robert Schwartzit, e pyeta

Harku i Triumfit dhe Tre Shokë të Remarkut

Ti Schwartz ca shkolle bëre?

Edhe këtë se mban mend, letërsi krahasuese pak poshtë teje

Kemi bërë shkolla kot nuk na u deshën për asgjë, thashë unë

Ty të ka vlejtur, tha Schwartzi, mësove të shkruash

Unë do shkruaja njëlloj edhe sikur të isha inxhinier, thashë unë

Ke një problem me trajtat e shkurtra i ke të gjitha gabim, tha Schwartzi

Mbase, i thashë, por në disa raste i bëj me qëllim

Ika tani se duhet të jem në punë, tha Schwartzi

Nuk do ikësh se s'kemi mbaruar, thashë unë

Do iki se më kërkojnë në Presidencë, tha Schwartzi

Po ca bën në Presidencë?

Përkthej, po tani më kërkojnë nga Azerbaixhani

O Schwartz po kujt në planet i duhet se çfarë thotë presidenti i Shqipërisë në Azerbajxhan që ti dashke të më lësh mua vetëm e do shkosh ta përkthesh në anglisht?

Presidentin e ke pasur ti në klasë, tha Schwartzi, ika tani

Ore je mirë apo ke ndonjë problem që nuk rri dot më shumë se 10 minuta me njeri, pak se erdhe gjysmë ore me vonesë po ikën dhe gjysmë ore më herët?

Qenke bërë dhe psikanalist tani megjithëse Sigmund Frojdi është kushëriri im, tha Schwartzi

Po si del ti kushëri me Frojdin?

Babai ishte nga Vjena dhe e kishte Frojdin kushëri të shtatë

Po mamaja si është?

Mirë, tha Schwartzi, shkoi 90 vjec

E mbaj mend, thashë unë, bëji të fala

Ika, tha Schwartzi

Prit edhe diçka, je martuar, Schwartz?

Ta them një herë tjetër, tani ika vërtet, tha Schwartzi

Ti nuk do vesh kurrë mend, thashë unë, nuk ikën kur duhet dhe ikën kur s'duhet.

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë