Katër nxënës shqiptarë të shkollës së mesme 'Naim Frashëri' në Durrës janë ndaluar nga policia në qytetin e Kotorrit, në Mal të Zi, ku kishin shkuar për ekskursion pasi bënë simbolin e shqiponjës dykrenare me duar në rrugë.

Sipas mediave, ngjarja ka ndodhur pasditen e 31 tetorit, rreth orës 17:30, kur një grua e moshuar malazeze ka pretenduar se është ndier e provokuar prej tyre. Ajo i ka pyetur nga vijnë ndërsa nxënësit i kanë bërë shenjën e shqiponjës, për të treguar që vijnë nga Shqipëria çka për banoren malazeze është konsideruar provokim. 

Më pas ajo ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar prej të rinjve shqiptarë.

Pas denoncimit, policia ka shoqëruar dhe ndaluar katër të rinjtë, të dyshuar për kundërvajtjen e nxitjes së urrejtjes kombëtare. Pranë tyre ka qenë edhe një mësuese si shoqëruese, e cila i ka shoqëruar në polici për t’u gjendur pranë nxënësve.

Sipas mediave, katër nxënësit dolën sot përpara gjykatës e cila i liroi me një vërejtje verbale.