Ministria greke e Mbrojtjes ka kërkuar dënim maksimal për 7 ushtarakët me origjinë shqiptare, të cilët u fotografuan brenda një reparti ushtarak teksa bëjnë me duar simbolin e shqiponjës.
 
Ministri grek Panos Kamenos mësohet të ketë deklaruar se ushtarët e repartit në Mesologji, duhet të dënohen si askush më parë, për të shmangur përsëritjen e gjesteve të tilla në të ardhmen.
 
Burime nga Ministria greke e Mbrojtjes, thanë se 7 ushtarët që bënë me duar simbolin e Shqipërisë e që më pas e postuan atë në rrjetet sociale, janë ndaluar dhe shoqëruar në ambientet e repartit ku dhe u pyetën lidhur me veprimin e tyre.
 
Mësohet se 7 ushtarët do të merren në pyetje nga Prokuroria e Janinës në cilësinë e të pandehurve. Ata rrezikojnë të dënohen deri në 5 vjet burg, nën akuza të propagandës antikombëtare dhe aktivitetit antikombëtar.

"‘Ngjarje të tilla nuk tolerohen nga forcat e armatosura. Kushdo që e ndien veten jo grekë të kthehet në shtëpinë e tij dhe të lërë nënshtetësinë greke”, u shpreh Kamenos për të përditshmen Kathimerini duke shtuar se është kërkuar hetim i mëtejshëm për këtë cështje.

Ushtarët me origjinë shqiptare bënë simbolin e shqiponjës dy krenare brenda në repartin ushtarak greke. Autoritetet e vendit fqinj kanë reaguar ashpërsisht duke nisur hetimet ndaj tyre. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com