Kandidati i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci tha se Shkodra deri më sot ka mbetur 'peng' i politikës dhe se mungesa e investimeve dhe projekteve në të ka bërë që ajo të humbasë shkëlqimin e saj të dikurshëm.
Në një intervistë për "5 pyetje nga Babaramo' në Report Tv, Beci tha se qëllimi i tij në skuadrën e PS është pikërisht se si të gjeje rrugën e komunikimit dhe bashkëpunimit në mënyrë që Shkodra të kthehet në një pikë turistike me të gjitha potencialet që jo ofron dhe qyteti të transformohet tërësisht në mënyrë që të nxitet ekonomia dhe punësimi.
I renditur i 3-i në listën e PS në Shkodër, Beci tha se Shkodra është qyteti i urave dhe se në 4 vitet e ardhshme në të do të punohet për ta kthyer në një qytet dinamik, do të ndihmohet industria e lehtë dhe se investimet në të do të nisin që nga hyrja e Shkodrës për t'i rikthyer identitetin qytetit.
"Shkodrën duam ta bëjmë më dinamike, ka një ecje më të avashtë të saj vitet e fundit për shkak të konflikteve politike, por mendoj se nuk ka më as kohë dhe as arsye që Shkodra të mbetet peng i diskutimeve politike. Kjo është edhe detyra ime në skuadrën e PS. Ajo që kemi bërë në gjithë Shqipërinë ne do ta bëjnë këtë 4-vjeçar në Shkodër. Kemi investuar rreth Shkodrës shumë, ajo që më intereson mua është se si të gjejmë rrugën se si të bashkëpunojmë. Nuk fajësoj asnjë po Shkodra ka mbetur ashtu siç është për shkak të politikës dhe aty duhet të kemi ura. Shkodra është simbol i urave, dhe psikologjikisht nuk mund të mbetet si një vend i mbyllur që të mos pranojë bashkëpunimin. Shkodra nuk ka arritur të ketë energjinë e një qyteti që ecën me dinamizmin e kohës dhe të ketë investimeve të duhura. Shkodra sot nuk ka arritur të marrë dot këtë siç është bërë në Korçë. Duhet ecur me turizmin dhe me disa investime fillon e merr jetë dhe industria e lehtë që është e nevojshëm të suportohet dhe ndihmohet dhe infrastruktura e qytetit duhet të ndryshojë që nga hyrja e saj dhe të marrë qyteti identitet. në fund të gjitha këto do të sjellin rritje të mirëqenies dhe ekonomisë në Shkodër", tha Beci.
Administrator i KESH, Benet Beci foli edhe për projektin që digat e vendit të kthehen në potenciale turistike jo vetëm për të vlerësuar dhe nderuar punë e atyre që kanë ndërtuar këto vepra madhore, por edhe si pika atraksioni turiste që do të forcojnë ekonominë e zonës.
"Historia e ndërtimit të HEC-ve është historia e një periudhë kohore të vetë Shqipërisë. Kthimi i digave në një atraksion dhe në një memorial të atyre që i kanë bërë dhe ndërtuar ka një efekt të shumëfishtë, jo vetëm të kujtime të tyre por dhe të vizitorëve duke treguar se çfarë është në gjendje të bëjë ky komb dhe kthehet në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm", tha Beci.