“Benvenuto” i Milanos, një ide mikpritjeje për t’u kopjuar edhe në Tiranë

“Benvenuto” i Milanos, një ide mikpritjeje për t’u kopjuar edhe në Tiranë

Aktivitet i 'Benvenuto' Milano

Milano, në Italinë fqinje, është edhe qyteti i klubeve qindravjeçare. Nuk janë kafene, por një vend që mbledh filantropë, biznesmenë, artizanë, shkencëtarë, financierë, që me rregulla të caktuara, statute, krijojnë bashkësi interesash sociale, kulturore apo biznesi. Për shembull “Societa’ del Giardino” është një klub që jeton prej vitit 1783 me seli në një prej pallateve më të bukura në Milano, Palazzo Spinola në Via San Paolo 10. Janë organizata që shënojnë me mbi 500 anëtarë, të cilët seleksionohen përmes një kodi të rreptë xhentëllmenësh. Një tjetër klub i famshëm dhe ekskluziv që prej 1901 është Il Clubino me selinë në një nga pallatet më misteriozë “Casa degli Omenoni” në qendër të Milanos.

Në të vërtetë sot dua të flas për një tjetër klub, më femëror, atë të “Benvenuto Milan”. Është shumë më i ri, këtë vit mbush 55 vite, por tepër i veçantë në idenë e tij. Si fillim lindi nga një nismë e disa zonjave amerikane që jetonin në Milano dhe kishin dëshirën për t’u mbledhur bashkë e për të këmbyer ide dhe eksperienca. Por më pas, me selinë në pallatin e Circolo Volta, u bë një vend mikëpritës për çdo grua anglishtfolëse, e cila, ose duke ndjekur bashkëshortin me detyrë konsullore apo manaxheriale në Milano, ose për profesionin e saj, e kishte të nevojshme të gjente një vend me njerëz të gatshëm që ta informonin për çdo nevojë që kushdo mund të ketë në një qytet të ri dhe të huaj. Nuk u mjaftua as me këtë. “Benvenuto” i hap dyert dhe pranon si anëtare edhe vetë italianet e italianët që për shumë vite jetojnë e punojnë jashtë Italisë dhe kur kthehen gjejnë një qytet të ndryshuar dhe me njerëz që nuk i njohin më, e në këtë mënyrë kanë një “vatër” mikpritëse. “Benvenuto” është një realitet që mbledh gra dhe vajza me kombësi të ndryshme, me pasione për kulturën, ushqimin  dhe shoqërinë e mirë.

Cili është sekreti i jetëgjatësisë dhe mirëfunksionimit të këtyre organizimeve? Politika mbahet larg, pasi konsiderohet si një argument që mund të krijojë konflikte dhe qejfmbejte. Sapo dikush hap një diskutim politik, është dikush tjetër që kujton menjeherë që klubi është apolitik, duke shuar që në fillim keqkuptime. Të gjithë anëtarët kontribuojnë me kuota modeste vjetore dhe për aktivitete të cilat menaxhohen me shumë transparencë. Kinema, galeri arti, restorante italiane apo etnike, ecje në natyrë, libra, sport dhe sidomos impenjime për evente bamirësie i mbajnë përherë të interesuar anëtarët e saj, qofshin 20 vjeçarë, apo 80 e më shumë mes tyre. Dje, për shembull, me rastin e 55 vjetorit, janë programuar një pafundësi aktivitetesh, mes tyre dhe një sfilatë mode në ndihmë të dy shoqatave të rëndësishme me aktivitet social në Itali. Asnjë nga anëtaret nuk është modele dhe nuk ka lidhje me profesionin e modës, por kushdo impenjohet për të bërë një punë që i kërkohet për një mision të vlefshëm (si unë në këtë foto).

Duke udhëtuar shpesh në Milano për arsye familjare, duke njohur këtë realitet  kaq interesant, do të dëshiroja shumë që burra dhe gra apolitikë në Tiranë ta themelonin një realitet të ngjashëm. Do të ishte shumë i vlefshëm jo vetëm për të huajt e shumtë që jetojnë në kryeqytet, por edhe për vetë shqiptarët që në gjithë këto vite shkojnë e vijnë… Kushedi!

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë