BEOGRAD – Serbia ka reaguar sot duke i cilësuar si të rrezikshme deklaratat e Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, sipas të cilit “nëse është nevoja, zgjedhjet [serbe në Kosovë] do të pengohen me të gjitha mjetet”.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të qeverisë serbe, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se Serbia do të kërkojë ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, nëse autoritetet e Prishtinës vazhdojnë me ato që ai i quajti kërcënime.

“Nëse vazhdohet me kërcënime të tilla, do të kërkojmë mbrojtjen e serbëve nga KFOR-i dhe EULEX-i, pasi Serbia nuk mund ta dërgojë policinë dhe ushtrinë e saj në Kosovë”, tha Ivanoviç i cituar nga agjencia Beta.

(im/shqiptarja.com)