Beqaj: 600 mjekë të rinj përfituan në
3 vjet falë rihapjes së specializimeve

Beqaj: 600 mjekë të rinj përfituan në<br />3 vjet falë rihapjes së specializimeve
Është përmbyllur me sukses të plotë edhe këtë vit procesi i përzgjedhjes së aplikantëve që do të vijojnë të ndjekin studimet e nivelit të tretë në Universitetin e Mjekësisë, ku për 185 kuota specialitetesh të e përcaktuara këtë vit garuan gjithsej 279 aplikantë.

Ky proces, po ecën normalisht, për të tretin vit radhazi, duke u dhënë mundësi afro 600 studentëve për të vijuar studimet e mëtejshme në mjekësi.
 
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ndoqi nga afër procesin ku vetë aplikantët përzgjodhën degën në të cilën dëshirojnë të specializohen. Në fjalën e mbajtur, Beqaj tha se ka qenë një nga angazhimet kryesore të Qeverisë rifillimi i këtij procesi.
 
“Ka qenë një angazhim për ta rifilluar këtë proces, për ta futur në një rrjedhë normale. Kur erdhëm në fillim të punës në qeveri, prej disa vitesh, ky proces ishte ndërprerë, kishte krijuar një boshllëk shumë të madh në trupën mjekësore të specializuar, por kishte hequr dhe shpresat tek brezat e rinj të mjekëve, me diplomë të Mjekësisë së Përgjithshme për specializim”, u shpreh Beqaj.
 
Kreu i Shëndetësisë, theksoi se janë afro 600 studentët të cilët kanë përftuar të drejtën për studime në nivelin e tretë në Universitetin e Mjekësisë gjatë këtyre tre viteve. “Po ti marrim të tre vitet bashkë, janë rreth 600 vajza dhe djem, që bashkë me këta të këtij viti, specializohen për të marrë specialitetet e nevojshme në mjekës​i.

Edhe këtë vit, Ministria e Shëndetësisë, për atë pjesë që quhen kuota të mbuluara, pra që do të garantojmë ne financiarisht këto studime, do të lidhim një kontratë të përgjithshme për të gjithë vendin duke u kërkuar atyre që pranojnë që kur të përfundojnë, pas 4-vjetësh, të shkojnë të punojnë aty ku do të ketë nevojë Ministria e Shëndetësisë”, nënvizoi z. Beqaj.
 
Ministri i Shëndetësisë vlerësoi procesin e ndjekur duke e cilësuar si tejet transparent ndryshe nga historia e viteve të mëparshme.

“Është një proces, për fat të mirë në këto tre vite krejt i pa përfolur, ndryshe nga historia e viteve të tjera kur ka qenë një proces shumë i përfolur qoftë edhe me akuza për ryshfet, për korrupsion. Gjë që për fat të mirë këta vajza dhe djem të rinj që në fillim të karrierës së tyre profesionale fillojnë në mënyrë shumë të ligjshme dhe shumë transparente”, theksoi Beqaj.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, u shpreh se i gjithë konkursi është zhvilluar brenda parametrave ligjore.

“Ky është viti i tretë që bëhet konkursi i specializimit. Fatmirësisht, edhe sivjet, konkursi i specializimit ka vajtur sipas të gjithë parametrave, ankesat kanë qenë minimale dhe sot (1/3/2017) është dita përmbyllëse e cila bëhet në mënyrën më transparente të mundshme duke renditur sipas renditjes që kanë fituar aplikantët, bëjnë përzgjedhjen e degës, të mbuluar ose të pambuluar”, theksoi Prof. Gjata.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike