Beqaj: Mamografët e lëvizshëm
shërbim falas për gratë

Beqaj: Mamografët e lëvizshëm<br />shërbim falas për gratë
TIRANE- Mamografitë e lëvizshme do të shkojnë në çdo qytet apo zonë ku gratë shqiptare nuk kanë mundësi të kryejnë këtë lloj ekzaminimi. Me një grafik i cili do të ndërtohet nga Instituti i Shëndetit Publik, dy aparaturat do të lëvizin në t gjithë vendin duke ofruar shërbim falas për të gjitha gratë të cilët do të depistohen.

Ndërkohë muaji tetor që përkonte me sensibilizimin e Kancerit të Gjirit ka shënuar një sukses më vete sa i përket numrit të ekzaminimeve të kryera. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka pohuar se gjatë vitit të ardhshëm do të rriten edhe më tej investimet në spitalin Onkologjik, ndërkohë që reparte kimioterapie do hapen në 5 qytete të tjera. Sipas kreut të shëndetësisë edhe këtë vit buxheti për citostatikët do të pësojë rritje në mënyrë që pacientët të mos përballen me mungesë ilaçesh, por nga ana tjetër ai bën apel për më shumë kontrolle në mënyrë që sëmundja të zbulohet në stade të hershme.
 
1- Z. Beqaj para pak ditësh ju njoftuat për blerjen e dy aparaturave të lëvizshme të mamografisë, kur do të fillojë puna e tyre dhe si do të kryhet depistimi në rrethe?
Pak ditë para se të mbyllej shtatori, unë kam nxjerrë një urdhër, që në muajin tetor, që përkonte me ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, ekzaminimet mamografike do të ishin jo nga sistemi i referimit, por do të ishin në mënyrë vullnetare, dhe pavarësisht nëse personi paguan ose jo. Mund t’ju them që përgjatë këtyre ditëve janë ekzaminuar dhe depistuar një numër i madh grash, më shumë se ç’është bërë nga 1 Janari deri me 30 Shtator 2014, apo më shumë se ç’është bërë gjithë vitin 2013. Por, sërish ky mbetet një ekzaminim urban. Kjo është arsyeja që në fillim të vitit, vendosëm që të kishim si pjesë e sistemit tonë edhe dy mamografë të lëvizshëm, të cilët enkas po i çojmë tek Instituti i Shëndetit Publik. ISHP-ja ka si mision parandalimin, pra duke i çuar në këtë institucion këto shërbime do të jenë pa pagesë.
 
2-Gjatë këtij muaji u vu re që patëm një “bum” kërkesash nga femrat shqiptare për të kryer mamografinë. Kjo ka të bëjë me heqjen e pagesës apo me atë pjesën që shkuarja tek mjeku për tu ekzaminuar është ende tabu në vendin tonë?
Ajo që dua të theksoj është se këtë muaj ne patëm një fushatë sensibiliziese shumë të suksesshme. Janë ekzaminuar mbi 2 mijë gra në 11 qendra stacionare të mamografisë. Blerja e dy aparateve të lëvizshëm do të na japë mundësinë që kryejmë edhe më shumë kontrolle. Nga data 1 deri në 20 Tetor, në 8 mamografë stacionarë që janë jashtë Tiranës, janë bërë ekzaminime sa 85% e ekzaminimeve të bëra nga 1 Janari në 30 Shtator. Do të thotë, me më shumë informim, me thyerje barrierash, me më shumë bashkëpunim, mund të arrijmë që të diagnostikojmë në stad sa më të hershëm.

Ndërkohë ne po bëhemi gati që shumë shpejt të fillojmë kontrollin bazë shëndetësor për gjithë shqiptarët nga 40 deri në 65 vjeç. të gjithë këta njerëz një herë në vit do të duhet të shkojnë tek mjeku për të bërë një kontroll në bazë të protokolleve bazë tashmë të përcaktuara. Besoj se ky do të jetë një ndryshim edhe i sjelljes kulturore të vetë shqiptarëve kundrejt shëndetit të tyre por edhe një qasje e re me institucionet e kujdesit shëndetësor.
 
3-Në lidhje me citostatikët vitin e ardhshëm do të ketë sërish shtim të buxhetit? Kur pritet të vihet në punë akseleratori linear?
Fondet për barna citostatikë janë dyfishuar në krahasim me vitin 2013, ndërkohë që edhe për këtë vit parashikohet të ketë sërish rritje duke qenë se sëmundjet tumorale dhe ato të zemrës janë në vëmendjen tonë kryesore. Ne jemi përpjekur që këtë vit të furnizojmë më shumë me barna, të mos krijojmë boshllëqe në furnizim. Madje disa barna i përfshimë edhe në listën e rimbursimit në mënyrë që furnizimi i tyre të jetë i vijueshëm kur kanë nevojë pacientët, që të mos jenë shumë të varur nga furnizimet që kemi ne në spitale.

Po kështu jemi përpjekur të ketë vijimësi në funksionimin e kobaltoterapisë dhe besoj se, edhe vitin e ardhshëm, vënia në punë e akseleratorit linear për atë spital, është prapë një vlerë e shtuar edhe në funksion të radioterapisë. Vetëm pak ditë më parë është zhvilluar procedura e hapur e prokurimit për ndërtimin e bunkerit, pajisja vetë është e miratuar me një kredi austriake të miratuar nga Kuvendi, në muajin shkurt apo mars, në mos gaboj.

Kështu që, në këto 12 muaj ne kemi bërë një punë që e kthyer kursin e shëndetësisë në 180 gradë, nga parandalimi deri te kujdesi paliativ, sepse të gjithë e dini që javën e kaluar miratuam edhe Ligjin e Kujdesit Paliativ, ofrojmë për këtë grup sëmundjet, që është një nga dy grup sëmundjet, jo vetëm me më shumë kosto sociale dhe ekonomike në shëndetësi dhe në Shqipëri, por edhe nga dy grup sëmundjet, që janë përcaktuar edhe në programin e qeverisë, ku ne do të synojmë më shumë. Kështu që, besoj se ajo çfarë kemi bërë, është e dukshme, e prekshme, por padyshim, nuk është ajo çfarë shqiptarët meritojnë, apo ajo çfarë ne jemi angazhuar të realizojmë për katër vjet.
 
4-A pritet të ketë investime shtesë në Onkologjik përgjatë vitit 2015?
Këtë vit ne mundësuam që 8 onkologë të cilët mbaruan specializimin në Qershor, të punësohen në spitalet tona dhe 4 prej tyre do të jenë në QSUT. Po kështu hapëm kabinetin e kimioterapisë në Durrës, dhe ndërkohë me ato ndryshime, me shtesat që iu bënë buxhetit të shëndetësisë në shtator, kemi filluar procedurat për të marrë pajisje, që të kemi kabinete kimioterapie në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, ose Sanatoriumi siç jemi mësuar t’i themi, edhe në Shkodër, edhe në Vlorë, edhe në Elbasan, edhe në Korçë, në mënyrë që këtë shërbim ta shtrijmë sa më shumë.

I gjithë ky investim po bëhet që të ulim volumin në Spitalin Onkologjik pasi ajo është qendër universitare, dhe disa protokolle bazë, mund të realizohen pa ndonjë vështirësi edhe në spitalet tona rajonal. Ndërkohë, investimet e reja që janë bërë dhe do të bëhen së afërmi në Onkologjik, do ta fuqizojnë edhe kapacitetin trajtues, me këto teknika dhe teknologji të reja, të cilat sot janë shumë ndihmëse dhe shumë lehtësuese për të luftuar edhe sëmundjet tumorale.
 
5-Një mesazh për gratë shqiptare sa i përket sëmundjes së kancerit, por edhe sëmundjeve të tjera vdekjeprurëse?
Beteja ndaj kësaj të keqeje, është diçka që nuk mund ta zgjedhim. Por, siç tha me të drejtë ministrja Kodheli, është beteja për Jetën, dhe si e tillë është betejë e të gjithëve. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë grave, nënave, motrave e vajzave shqiptare të kujdesen për jetën e tyre duke ekzaminuar gjirin për të parandaluar të keqen dhe shpëtuar një jetë!

Kanceri i gjirit, fasada e kryeministrisë vishet me mesazh sensibilizues
 
Fasada e kryeministrisë është kthyer pasditen e djeshme në një “ekran të gjallë” për të përcjellë informacione dhe apel për sensibilizimin e grave dhe nënave shqiptare në luftën kundër kancerit të gjirit. Duke filluar nga ora 18:00 e pasdites së djeshme një video-projektor përcolli përgjatë gjithë mbrëmjes mesazhin sensibilizues për më shumë ndërgjegjësim ndaj kësaj sëmundje. Kjo nismë e veçantë, i shtohet aktiviteteve të shumta të zhvilluara gjatë Tetorit, i cili është muaji i sensibilizimit të kësaj sëmundjeje, që nga viti në vit njeh përmasa gjithnjë e në rritje në vendin tonë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët