Beqaj në Vatikan merr ‘OK’ për
bashkëpunim me Spitaleve Katolike

Beqaj në Vatikan merr ‘OK’ për<br />bashkëpunim me Spitaleve Katolike
VATIKAN - “Një vizitë e vlefshme dhe e frytshme pune,” - e quajti Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, vizitën e tij zyrtare në Vatikan më 28 tetor 2014, ku pati disa takime të rëndësishme me drejtues të lartë të Selisë së Shenjtë.
 
 Ministri Beqaj u takua me Imzot Zygmunt Zimowski-n, President i Këshillit Papnor për Shëndetësinë. Ministri e falënderoi përzemërsisht bashkëbiseduesin për ndihmën e dhënë nga Vatikani falë tre marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe u ripohua vullneti i dy palëve për përforcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara vite më parë nga dy Shtetet.
 
Në takim, u ra dakord gjithashtu që të vendoset komunikimi për të arritur në bashkëpunim me Federatën Botërore të Spitaleve Katolike (një organizatë, e cila përmbledh 150 spitale katolike nga e gjithë bota) dhe me Fondacionin e “Samaritani i Mirë” (i themeluar nga Papa Gjon Pali i II-të).
 
 
Kreu i shëndetësisë shqiptare u prit në takim edhe nga Imzot Angelo Becciu, Zv.Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili konfirmoi vullnetin për të thelluar e zgjeruar më tej bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë në fushën e kujdesit shëndetësor.
 
Imzot Becciu falënderoi Qeverinë shqiptare për organizmin e shkëlqyer të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më 21 Shtator 2014, ndërkohë që ministri Beqaj falënderoi përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë për ndihmën 24-vjeçare për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, qoftë për trajtimin e kurimin e pacientëve shqiptarë në institucionet shëndetësore të administruara nga Vatikani.
 
 
 
Beqaj u takua më tej, edhe me Hirësinë e Tij, Kardinal Giuseppe Bertello-n, Presidentin e Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit.
 
 
 
Më pas, ministri Beqaj u takua me Hirësinë e Tij, Kardinal Giuseppe Versaldi-n, President i Prefekturës së Çështjeve Ekonomike të Selisë së Shenjtë, me të cilin diskutoi për mbështetjen e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë dhe gjithashtu, u ra dakord që të bashkërendohen veprimet për nxitjen dhe përmbushjen me sukses të projektit për ndërtimin e një spitali në kuadrin e këtij bashkëpunimi. Ministri Beqaj parashtroi gjithashtu edhe nevojën që ka Shqipëria për ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në sistemin e kujdesit shëndetësor.
 
 
 
Edhe në këto takime u shpreh falënderimi për organizmin e vizitës së papës si dhe u theksua rëndësia e përcjellës më të gjithë botën për modelin e shkëlqyer të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare të Shqipërisë.
 
Në kuadrin e kësaj vizite, Beqaj vizitoi edhe Spitalin Pediatrik të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù”, ku u prit nga Presidenti i spitalit dhe Drejtori Shëndetësor. Ministri gjeti rastin për të falënderuar drejtuesit e këtij institucioni për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë në vite për mjekimin dhe kurimin e shumë qytetarëve shqiptarë.
 
U ra dakord që përtej çfarë përmbahet në marrëveshjen e bashkëpunimit të zgjerohet edhe me tej me ndihmë në formimin e personelit mjekësor dhe përditësimit të protokolleve të mjekimit.
 
Gjatë vizitës së tij në selinë e Radio Vatikanit e në programin e gjuhës shqipe, ministri Beqaj, në mikrofonin e Radios së Papës, foli për vizitën e tij, për bashkëpunimin ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë dhe për sfidat me të cilat përballet shëndetësia në Shqipëri.
 
 
 
I intervistuar nga dom David Xhuxha, në studion “Karol Wojtyla” të Radio Vatikanit, Ministri Beqaj risolli në vëmendje të dëgjuesve vizitën historike të Papë Françekut në Tiranë dhe përgëzimet për punën e shkëlqyer për organizimin e kësaj vizite nga Qeveria shqiptare si dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, për sfidat e shëndetësisë shqiptare qoftë në zgjerimin e mbulimit dhe të aksesit, qoftë në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor,  por edhe në zvogëlimin e korrupsionit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek shërbimet publike.
 
 
 
Ministri nënvizoi rolin historik të kishës katolike në Shqipëri jo vetëm në aspektet fetare por edhe në kontributin e dhënë në vijimësi në aspekte të tjera të jetës shoqërore dhe sidomos në shëndetësi dhe arsimim.
 
 
 
Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë parashikojnë mbështetje për diagnostikimin, menaxhimin spitalor, trajnimin e stafeve mjekësore e shkëmbimin e përvojës, etj. Po kështu, parashikohet bashkëpunimi me disa nga spitalet kryesore.
  
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë