TIRANE, 17 Nëntor/ATSH/- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi të hënën ne Kuvend se gjatë vitit 2015 do te kete ulje te çmimit të barnave, ndërsa theksoi se këtë vit u hoq TVSH prej 20 % për pajisjet mjekësore. Sipas ministrit Beqaj, gjatë këtj viti u bë e mundur gjithashtu zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme si dhe një sërë investimesh për rritjen e cilësisë se shërbimit ndaj qytetarit. "Viti 2015 do të jetë viti i zbatimit të plotë të kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç. Ky është hapi i parë konkret drejt vendosjes së mbulimit universal ", tha Beqaj. Ndërkohë që, sipas tij, do të rritet ndjeshëm cilësia e kujdesit në shërbimin spitalor, përmes investimeve kapitale si 17 milionë euro, nga kredia e Bankës së Këshillit të Europës për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT, 14 milionë euro nga kredia austriake për shëndetësinë elektronike dhe 5 milionë euro nga kredia e Qeverisë italiane për spitalin universitar të traumës.
Ai informoi po ashtu se në vitin 2015, buxheti i shëndetësisë është pasuruar me një program të ri buxhetor, atë të "Urgjencës mjekësore". Beqaj theksoi se do të forcohen kapacitetet laboratorike për përballimin e kërcënimeve të ndryshme epidemiologjike./a.gjonaj//a.ke/