Beqaj:Nis projekti i shpërndarjes së
ambulancave, 300 mijë $ investime

Beqaj:Nis projekti i shpërndarjes së<br />ambulancave, 300 mijë $ investime
Brenda këtij muaji do të nisë funksionimi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, nga ku do të kontrollohen dhe bashkërendohen të gjitha lëvizjet e autoambulancave në shkallë vendi, ndërkohë që autoambulancat në të gjithë vendin do të jenë të stacionuara në pika të ndryshme për të qenë sa më pranë urgjencave.
 
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të kryer sot në Shërbimin e Urgjencës së Tiranës, ka pohuar se projekti i shpërndarjes së autoambulancave në disa pika ka nisur me Dibrën dhe do të vazhdojë në të gjithë vendin. 
 
“E filluam në Dibër dhe do të vazhdojmë edhe në javët në vijim, që ka të bëjë me vendndodhjet e reja të autoambulancave në territor. Besoj që nga fundi i kësaj jave, dhe deri në javët e ardhshme, brenda gjithë shtatorit do të paraqesim përpara publikut dhe nëpërmjet jush (mediave të shkruara dhe vizive), vendndodhjet e reja të autoambulancave, në mënyrë që flota që kemi, të jetë shumë më tepër në dispozicion të nevojave që qytetarët kanë për Urgjencën Mjekësore,” ka nënvizuar Ministri Beqaj.
 
Por ky projekt nuk mund të zbatohej pa një infrastrukturë bashkëkohore, ndaj edhe së fundi, me një investim prej 300 mijë dollarësh, 20 autoambulanca janë pajisur me aparatura të cilat kryejnë një sërë funksionesh për diagnostikim të shpejtë të sëmundjeve, si dhe mbajtjen në jetë të pacientit në rastet e problemeve në zemër.
 
“Aktualisht, kemi fuqizuar kapacitetet e rreth 20 autoambulancave, me një investim prej 300 mijë dollarësh për të vendosur në këto autoambulanca pajisje bashkëkohore defibrilatorë, edhe jetëshpëtuese. Këto janë pajisje të cilësisë së lartë, që kanë mundësi të kryejnë disa veprime, dhe të gatshme, që ne kur të na funksionojë i gjithë sistemi i ndërlidhjes, të mund të përcjellim në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, apo në spitale të caktuara, edhe informacion lidhur me parametrat vitalë të qytetarëve, të cilët ndodhen përpara këtyre rasteve të veçanta,
” pohoi kreu i shëndetësisë .
 
Me anë të këtyre pajisjeve, pacientëve mund tu jepet ndihma e parë që në banesë, apo kudo ku ndodhen. Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, dr. Skënder Brataj, ka pohuar se vendosja e këtyre aparaturave garanton cilësinë e jetës tek pacientët.
 
“Aparatura, jo vetëm i shpëton jetën, por garanton edhe cilësinë e jetës dhe është gjëja më e rëndësishme, sepse ne mund ta sjellim një person në jetë por në qoftë se nuk do të zgjohet nuk do të ketë më cilësi jete. Kështu, këto aparatura duke pasur autonominë 10 orë, do të thotë që autoambulanca mund të kryejë turnin në lëvizje pa pasur nevojën që të ndalojë dhe të bëjë karikimin e aparaturës. Kjo aparaturë jep goditjen elektrike, bën elektrokardiogramën, identifikon nëse ka infarkt, aritmi ose çfarëdolloj tjetër problematike kardiologjike,” theksoi Brataj.
 
Ministri i Shëndetësisë i është përgjigjur interesimit të gazetarëve por edhe të opinionit publik se çfarë do të ndodhë me godinën ekzistuese të Shërbimit të Urgjencës së Tiranës. Sipas tij, ajo do të vazhdojë të funksionojë si një si një pikë ku do të jetë e stacionuar një nga autoambulancat për të qenë sa më thirrjeve në territor.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit