Beqaj: Referimi Elektronik një hap
drejt dixhitalizimit të shëndetësisë

Beqaj: Referimi Elektronik një hap<br />drejt dixhitalizimit të shëndetësisë
Pas vënies në zbatim të Recetës Elektronike dhe Nënshkrimit Elektronik, Referimi Elektronik është hapi i radhës i Ministrisë së Shëndetësisë për jetësimin e programit të Shëndetësisë Elektronike.

Prezantimi i sistemit të ri të njohur si “e-Referral” u bë në një takim të organizuar me mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit të kujdesit Parësor shëndetësor të Tiranës dhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

I pranishëm në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj theksoi se të gjitha këto projekte përveçse do të jenë një ndihmë e madhe për vetë punën e mjekëve, do të lehtësojë gjithashtu edhe qytetarët, si dhe do të rrisin edhe më tej besimin e njerëzve tek sistemi shëndetësor në vend.

“Unë besoj se të gjitha projektet bashkë do të fillojnë t’ju ndihmojnë në punën tuaj, do të lehtësojnë qytetarët, dhe përgjithësisht, do të fillojnë të japin një imazh më të mirë për të gjithë sistemin. Dhe, besoj se imazhi i mirë i sistemit, besimi që do të rritet tek shqiptarët për kujdesin shëndetësor, do të lehtësojnë punën tuaj”,-u shpreh Beqaj.

Ministri bëri të ditur se investimet e kryera deri më sot, së bashku me ato që janë në zbatim e sipër dhe që pritet të fillojnë së shpejti për dixhitalizimin në shëndetësi, arrijnë në total vlerën e konsiderueshme prej 36 milionë eurosh.

“Praktikisht, për çdo shqiptar kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për dixhitalizimin,” theksoi Beqaj, duke shtuar se “nga pikëpamja e autentifikimit me nënshkrimin elektronik, shëndetësia publike është sektori më i avancuar në Shqipëri në këtë drejtim”.

“Qëllimi është që qytetarët të bëjnë sa më pak ecejake, të mos ja lemë qytetarit barrën që ta marrë ai me vete dokumentacionin mjekësor, të fillojmë të popullojmë gradualisht me dosjen elektronike të shëndetit, dhe padyshim, edhe ju vetë të mund të bëni një punë shumë cilësore dhe të jetë dhe një punë me transparencë dhe me element vetëllogaridhënieje”, theksoi Beqaj.

Gjithashtu, në takim u prezantua edhe mënyra e funksionimit të sistemit të ri të Referimit Elektronik nga Dr. Mirela Hasanaj, Drejtore e Qendrës Shëndetësore të Specialiteve Nr. 2 në Tiranë, ndërkohë që edhe Mirlinda Karçanaj, kreu i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, shpjegoi për të pranishmit se si do të funksionojë ky sistem në kuadrin e shërbimeve të ofruara nga portali i shërbimeve qeveritare “e-Albania.al”.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike