Beqaj:Shkodra,një nga pesë spitalet
ku ofrojmë shërbimin e Kimioterapisë

Beqaj:Shkodra,një nga pesë spitalet<br />ku ofrojmë shërbimin e Kimioterapisë
Spitali Rajonal i Shkodrës ofron tashmë edhe shërbimin e Kimioterapisë për pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale.

Falë investimit të realizuar në këtë spital për ofrimin e shërbimit të njohur si “Day Hospital” dhe garantimit të përgatitjes së mjekimit me barna pranë Kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më manualisht siç kryej disa vite më parë, prej një muaji, afro 10 pacientë e marrin këtë shërbim jetik për jetën e tyre, pranë vendbanimit të tyre duke shmangur në këtë mënyrë rradhët e gjata të pritjes dhe ecejaket drejt Tiranës.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte në spitalin Rajonal të Shkodrës ku pa nga afër mjediset ku po ofrohet ky shërbim. Ministri Beqaj u shpreh se spitali Rajonal i Shkodrës, është një prej pesë spitaleve Rajonale, përveç QSUT-së, ku ofrohet tashmë ky shërbim mjekësor.

“Më në fund, arritëm që këtë shërbim të fillojmë ta ofrojmë dhe në spitalet Rajonale, kështu që edhe Shkodra është pjesë e pesë spitaleve, përveç QSUT-së, ku ne po ofrojmë këtë shërbim. Sigurisht, e kemi nisur me protokollet e sëmundjeve bazë, dhe në bashkëpunim me Shërbimin Universitar në QSUT, kemi filluar, siç e tha dhe doktoresha (zj. Daniela Bega, Onkologe në spitalin Rajonal të Shkodrës), të bëjmë këtu në Shkodër kimiot për tumoret e gjirit dhe zorrës së trashë”, u shpreh Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë shprehu falënderimet për ekipin mjekësor që punon në këtë shërbim, teksa njoftoi se brenda pak javësh, një pjesë të barnave Citostatikë në formë tabletash, të sëmurët onkologjikë mund ti marrin në spitalin e Shkodrës, pa ju dashur të udhëtojnë drejt Tiranës.

“Sigurisht, do ta ndjekim në vijimësi për të parë ecurinë, konsolidimin, me dëshirën që në të ardhmen, të mund të zgjerohemi dhe me protokolle të tjera. Gjithashtu, ne do të fillojmë, në fakt, brenda pak javësh, që dhe një pjesë të mirë të barnave Citostatikë në formë tabletash, të sëmurët onkologjikë të mos shkojnë ti marrin më në Tiranë, por ti marrin në farmacinë e spitalit të Shkodrës”, theksoi Ministri Beqaj.

Nga ana e saj, Dr. Daniela Bega, Onkologe pranë këtij spitali tha se është siguruar tashmë furnizimi me të gjitha barnat e nevojshme, duke shtuar se, tashmë, pacientët e Shkodrës nuk kanë më nevojë të shkojnë deri në Tiranë, pasi çdo gjë ju ofrohet brenda të gjithë standardeve në këtë spital.

“Kemi filluar prej një muaji, dhe deri tani, janë trajtuar 10 pacientë.Bëhet fjalë për dy sëmundjet më të shpeshta tumorale, kancerin e gjirit dhe kancerin e zorrës së trashë. Medikamentet janë në spitalin e Shkodrës, kështu që pacientët paraqiten në spital, është një investim shumë i rëndësishëm nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me drejtorinë e spitalit, dhe tani pacientët e Shkodrës nuk kanë më nevojë të shkojnë deri në Tiranë, është shkurtuar koha, rruga që duhet të bënin, çdo gjë ju ofrohet brenda gjithë standardeve brenda në spitalin e Shkodrës”, deklaroi Dr. Bega.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike