Beqaj takohet me Drejtorin e ANEA:
 Mundësi të reja bashkëpunimi

Beqaj takohet me Drejtorin e ANEA:<br /> Mundësi të reja bashkëpunimi
Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga një ekip drejtuesish të lartë të shëndetësisë gjatë një vizite dyditore zyrtare në Austri, zhvilloi një takim pune me z. Yukiya Amano, Drejtor i Përgjithshëm i ANEA-s (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike – International Atomic Energy Agency - IAEA), ku u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe mundësitë e rrugët e reja të bashkëpunimit me këtë organizatë.

Në takimin e parë të një ministri me kreun e kësaj Agjencie që kur Qeveria Shqiptare mori detyrën rreth një vit e gjysëm më parë, z. Beqaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e ngushtë që ka patur shëndetësia shqiptare me ANEA-n, si edhe rolin drejtues të Dr. Yukiya Amano-s në një numër projektesh në ndihmë të shëndetësisë shqiptare. 

“Jam këtu për të konfirmuar disa çështje me Drejtorin e Përgjithshëm të ANEA-s,” tha midis të tjerash ministri Beqaj, duke u shprehur se, “së pari, më lejoni që në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë Shqiptare t’Ju përcjell mbështetjen tonë të fuqishme për ANEA-n, aktivitetet e kësaj organizate dhe rolin Tuaj udhëheqës në këtë drejtim.” ANEA është qartësisht një nga agjencitë më efektive në gjirin e agjencive ndërkombëtare, tha më tej ai, duke theksuar se “impakti i saj ndihet realisht në jetën e njerëzve anembanë botës. Dhe bashkëpunimi i Shqipërisë me Agjencinë është shumë i mirë.”

Kontributi i Agjencisë për paqen dhe ndalimin e përhapjes së armëve atomike në botë është i pazëvendësueshëm, dhe shembuj të shkëlqyer të rolit të ANEA-s në këtë drejtim janë qasja tepër profesionale dhe e paanshme e dosjes së Iranit, asaj të Sirisë, si dhe vëmendja e vazhdueshme ndaj Koresë së Veriut, u shpre kreu i shëndetësisë shqiptare. “Roli juaj udhëheqës ka qenë vendimtar,” shprehu vlerësimin e tij z. Beqaj për kreun e ANEA-s, duke theksuar se “Qeveria jonë është e vetëdijshme për shumë nga sfidat që na presin në një mjedis politik të ndërlikuar, por është besimplotë dhe tërësisht në mbështetje të përpjekjeve tuaja. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kontributin tuaj në rritjen e mëtejshmë të shkallës së sigurisë ndaj rrezikut atomik kudo në botë.”

Së dyti, shtoi z. Beqaj, “roli i Agjencisë në promovimin dhe zgjerimin e kontributit të përdorimit të energjisë atomike për qëllime paqësore, shëndetin dhe mirëqënien, duke kontribuar kështu për zhvillimin, është gjithashtu unik.” “Ne kemi dëgjuar dhe jemi tërësisht në mbështetje të çështjeve që Ju keni ngritur për njohjen e rolit të teknikave të përdorimit të energjisë atomike si objektiva zhvillimir për axhendën e post-2015 Millennium,” – tha ai, duke nënvizuar se, “Shqipëria do të ruajë rolin e saj në këtë drejtim në kuadrin e diskutimeve të OKB-së në Nju Jork”. Përdorimi i teknikave atomike është i pazëvendësueshëm në shumë fusha: shëndetin e njerëzve, bujqësinë, sigurinë e ushqimit, menaxhimin e ujrave, mjedisin, etj., - tha ai.

Së treti, fokusi im si Ministër i Shëndetësisë, është kontrolli dhe lufta ndaj kancerit, shtoi Beqaj. “Ky është një prioritet shumë i lartë për Qeverinë e Shqipërisë, dhe dëshiroj të theksoj këtu, edhe rrethanat e veçanta të këtij takimi, i cili zhvillohet vetëm një ditë përpara 4 Shkurtit, Ditës Botërore të Luftës Kundër Kancerit, si e vetmja nismë, ku e gjithë bota mund të bashkohet në luftën kundër epidemisë globale të kancerit”. Kjo Ditë është mundësi ideale për të rritur ndërgjegjësimin e luftës kundër epidemisë globale të kancerit, si dhe për të përhapur fjalën se zgjidhjet nuk janë të pamundura, ato ekzistojnë në të gjithë vazhdimësinë e kancerit dhe janë brenda mundësive tonë. Në këtë Ditë, institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor kudo në botë shqyrtojë shkallën e zbatimit të asaj që ne tashmë e njohim në fushat e parandalimit si zbulimi i hershëm, trajtimi dhe kujdesi, të cilat mund të ndikojnë barrën globale të kancerit për më mirë. Kanceri mund të reduktohet dhe kontrollohet nga zbatimi i strategjive të bazuara në fakte për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit, si dhe menaxhimin e pacientëve me kancer.

ANEA ka ofruar ndihmë të pamasë për Shqipërinë në të gjitha stadet e programit të kontrollit të kancerit, së bashku me OBSH-në, nëpërmjet programit të asistencës teknke, përfshirë PACT-in. Ajo ka ndihmuar në ofrimin e trainimit gjithëpërfshirës për stafin mjekësor dhe atë teknik, nëpërmjet kurseve të specializimit, ekspertëve dhe vizitave shkencore, bursave të studimit, etj., dhe ka ndihmuar gjithashtu në ofrimin e pothuajse 80 përqind të pajisjeve. Shkalla e arritjes është 100%, dhe ky ka qenë edhe vlerësimi i misionit të auditimit të ANEA-s vitin e fundit. Dhe vendi ynë i ka përmbushur në kohë të gjitha detyrimet tona ndaj Agjencisë. 

Ndërkohë, spitali ynë onkologjik është i vetmi në rajon, ndoshta në Evropë, që po instalon relativisht vonë pajisjen e parë të tipit LINAC Accelerator gjatë këtij viti. Specialistët janë trajnuar tashmë, dhe po vazhdojnë të trajnohen. Ne po ndërtojmë një bunker për hostimin, në fakt, të dy LINAC-eve, sipas procedurave të kërkuara. Kemi kërkuar dhe kemi përfshirë në Programin Kombëtar TC 2016-17 për Shqipërinë edhe ofrimin e një LINAC-u.

Është një program i kushtueshëm për një vend të vogël si i yni, por tepër i nevojshëm. Ne jemi tërësisht të vendosur dhe unë jam gati të ofroj mundësitë e ndarjes së kostove për këtë projekt, - theksoi z. Beqaj në takim. “Do të kërkoja mbështetjen Tuaj, në mënyrë që kjo të materializohet dhe të ecet përpara me shpejtësi, në përputhje më të gjitha procedurat dhe praktikat,” – tha ai, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e pritshëm, pasi sipas tij, “stafi i ministrisë së shëndetësisë është i përkushtuar dhe gati të punojë energjikisht së bashku me stafin e Agjencisë në këtë drejtim”.

“Jam në dijeni të vizitës Suaj në Shqipëri në 2011,” - tha z. Beqaj, duke u shprehur se “kanë ndodhur shumë përmirësime qysh atëherë.” “Dëshiroj t’Ju ftoj sërish të vizitoni Shqipërinë, zyrtarisht dhe privatisht. Është një vend i bukur, me një vijë të bukur bregdetare dhe shumë histori, monumente të lashta historike dhe kulturore, banorë tepër mikpritës, dhe një kuzhinë të shkëlqyer. Do të ishim tepër të kënaqur për t’Ju mirëpritur në Shqipëri në një kohë të përshtatshme për Ju,” - tha z. Beqaj.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin