Tirane, 7 korrik/ATSH- Z. Tosku/. - Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kerkoi sot në komisonin e ceshtjeve sociale dhe  shëndetësisë rritjen e masës së gjobës për pronarët e lokaleve si pasojë e mosrespektimit të ligjit anti-duhan.
Beqaj tha se "ky eshtë një ligj, i cili nuk ka arritur që të zbatohet në mënyrë të plotë dhe efektive në gjithë këto vite. Thelbi i ndryshimeve që propozohen ka të bëjnë me rritjen e forcës inspektuese për zbatimin e tij, rritjen masave ndëshkuese në rastin e kundërvajtjeve, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe të informimit publik për të ndërgjegjësuar dëmet që vijnë nga duhanpirja dhe për të parandaluar apo denoncuar në mënyrë më publike rastet e kundërvajtjeve".
Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh skeptik në zbatimin e ligjit për herë të tretë pasi sipas tij, nuk kanë ndryshuar mekanizmat e vjeljes së gjobës, ndërsa shtoi se përfshirja e të gjithë inspektoriateve zbeh përgjegjësitë e gjithësecilit.
Deputeti Vangjel Tavo kërkoi që të ardhurat nga gjobat të mos shkojnë për buxhetin e shtetit, por të kenë destinacion shëndetësinë. Deputeti i PD-së, Bedri Mihaj, kërkoi që në projektligj të percaktohen vende të vecanta për duhanpirësit. Ndërkohë, komisioni miratoi në tërësi projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10039, datë 22.12.2008, "Për ndihmën juridike", të ndryshuar." Komisioni miratoi në parim dhe projektligjin për "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", të ndryshuar. /a.ke/