TIRANE - Në një lidhje telefonike për A1report vetë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga procesi i testimit dhe do të përballet me këdo sepse testimi duhet bërë me patjetër.
 
Deri sa Gjykata vendosi, deri në momenti kur të shprehet për themelin e çështjes, procesi i testimit nuk do vazhdoj. Do të përgatitemi të ballafaqohemi se pse testimi duhet bërë. 

Çdo njeri ka të drejtën e tij të shpreh atë që mendon, unë në këto 18 muaj kam qenë i angazhuar për të zbatuar programin, ajo që është arritur është e ndjeshme. Për të bërë reforma të thella duhet të prekësh interesa, që e kanë kapur shëndetësinë. Në këto reforma prehen dhe interesa. 

Vendimi i themelit është se do të na duhet të reflektojmë. Për infermierët ka akte që janë miratuar dhe do zbatohen.
 
Përderi sa ka një proces presim vendimin e tij. Programi i testimi nuk hartohet nga Ministria, por me shoqatat.
 
Nevoja për të përmirësuar sistemin shëndetësor duhet të përfshijë gjithë hallkat, pa lënë mënjanë dhe testimi.
 
Dje është vendosur se 1 e 3 e mjekëve nëse nuk japin testimin nuk do ta ushtrojnë më profesionin.
 
Rrezikojmë që nga kjo të mbetemi pa mjek. 

Unë besoj se mjekët kanë të drejtën të kërkojnë kushte, pasi ashtu ata përmbushin dhe misionin e tyre. 

Më poshtë intervista e plotë e ministrit për A1report

Gazetare A1 Report: Si e pritët këtë pezullim, pas vendimit të Gjykatës Administrative për këtë nismë të ministrisë që ju drejtoni?

Ministri Beqaj: Po, derisa Gjykata vendosi që deri në momentin kur ajo të shprehet për themelin e ankimimit që ka bërë Urdhri i Infermierit, proçesi i testimit nuk mund të vazhdojë. Do të duhet, sigurisht, jo vetëm të zbatojmë vendimin paraprak të Gjykatës, por të përgatitemi që të ballafaqojmë në seancën e plotë, argumentet tona pse testimi duhet bërë dhe pse nuk cënon infermierët në punën e tyre.

Gazetare A1 Report: E kuptoj, një ndër pikat zoti Beqaj, të paktën tek protestat dhe tek peticionet që kanë bërë bluzat e bardha, ka të bëjë dhe me një tërheqje, jo vetëm nga ana e Ministrisë për këtë testim, por kanë shkuar deri aty sa të kërkojnë edhe largimin tuaj. Si e komentoni?

Ministri Beqaj: Sigurisht që, çdo njeri sot ka të drejtën e tij të shprehë lirshëm atë çfarë mendon. Unë besoj se, në këto 18 muaj, kam qenë i angazhuar për të zbatuar Programin e Qeverisë, për të respektuar ligjet e vendit dhe sigurisht që, besoj se ajo çfarë është arritur në këto 18 muaj, është shumë e ndjeshme dhe e prekshme për të gjithë qytetarët.

Sigurisht që për të bërë reforma të thella, duhet të prekësh interesa, interesa të cilat e kanë kapur shëndetësinë në shumë vite dhe, padyshim, në reforma ka edhe kështu lloj konfrontimesh.

Gazetare i A1 Report: Ndoshta kjo që ndodhi me testimin e infermierëve, mund të ndodhë edhe me mjekët? Sepse kemi dy lloj testimesh, edhe për mjekët, dhe cili do të jetë vendimi juaj, nëse do të jetë një betejë e humbur?

Ministri Beqaj: Urdhëroni, më fal?

Gazetare A1 Report: Në rast se do të jepet nga Gjykata Administrative pezullim, po supozojmë, dhe nuk do dalë verdikti juaj?

Ministri Beqaj: Jo, jo, Gjykata nuk jep më pezullim. Gjykata tani do të shprehet në themel. Sigurisht që, vendimi i themelit i Gjykatës për rastin e infermierëve, sigurisht do të na duhet të reflektojmë pastaj më qartë edhe për mjekët.



Gazetare A1 Report: E kuptoj. Ndërsa unë shkova diku më larg, me gjykimin tuaj, duke e quajtur ndoshta edhe një betejë që mund të jetë e humbur, të paktën nga ana juaj, sepse të paktën edhe nga komunikimet që ne kemi patur në studio, kanë qenë mjekët të cilët kanë deklaruar se është shkelur ligji, të paktën në mënyrën se si po testohet. A po mbartni kosto të madhe zoti Beqaj?


Ministri Beqaj: Tani po flasim njëherë për infermierët, për atë ka akte, të cilat janë të miratuara dhe janë vënë për t’u zbatuar. Për pjesën e infermierëve, po e përsëris, derisa ka një proçes gjyqësor, presim përfundimin e tij.

Gazetare A1 Report: A do të ishte mirë zoti Beqaj, që ky testim të ishte bërë edhe me konsultën e mjekëve? Janë këtë të fundit, të cilët ju akuzojnë se nuk ka ekspertët e duhur, për të ushtruar pikërisht këtë lloj testimi, madje ata ndjehen edhe të fyer.



Ministri Beqaj: Është diçka që e kam thënë edhe herë të tjera: testimi, programi i testimit nuk hartohet nga punonjësit e ministrisë. E kemi thënë që në fillim që do të hartohet në rastin e mjekëve, në bashkëpunim dhe me shërbimet universitare dhe me shoqatat e profesionistëve, dmth., shoqatat sipas specialiteteve.



Gazetare A1 Report: Ju e gjykoni, që gjithçka është korrekte, është e nevojshme në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, për të patur këtë lloj testi, edhe pse në një mënyrë kaq fort të kontestuar nga bluzat e bardha?

Ministri Beqaj: Atëherë, unë besoj se nevoja për të përmirësuar në mënyrë radikale sistemin shëndetësor, do të duhet të përfshijë të gjithë hallkat e tij, që do të thotë:

§ përmirësimin e furnizimit me barna, materiale mjekësore;

§ investime themelore në shëndetësi; por, pa lënë mënjanë si shumë të rëndësishme,

§ edhe burimet njerëzore në shëndetësi.

Unë besoj se, lajmi më i ndjeshëm për çdokënd në Shqipëri duhet të jetë lajmi që u shpall dje: 1/3 e mjekëve të Shqipërisë, nëse nuk japin provimin e çertifikimit brenda 6 muajsh, nuk mund ta ushtrojnë profesionin.

Ky është lajmi që duhet të shqetësojë shumë më tepër këdo që punon në shëndetësi, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare.

Është situatë shumë më problematike, me programin 5-vjeçar të edukimit në vazhdim. Sepse 36% e mjekëve nuk kanë plotësuar detyrimet e tyre 5-vjeçare dhe rrezikojnë të mos e ushtrojnë më profesionin. Pra, rrezikojmë që të mbetemi pa mjekë deri në tetor. Është shumë më thelbësore dhe shumë më e rëndësishme se sa çështja e testimit, në gjykimin tim.

Gazetare A1 Report: Ndërkohë, infermierët më parë kishin paralajmëruar për një bojkot të testit. Në rast se nuk do të ndaleshin pikërisht në këtë moment, ku do të shpallej Gjykata, cili do të ishte vendimi juaj?

Ministri Beqaj: Tani që kemi hyrë në çështjen që vendos Gjykata, tani do ta vendosë Gjykata.

Gazetare A1 Report: E kuptoj. Zoti Beqaj, unë dua që të ndalem edhe një një tjetër moment. Tek kushtet e…


Ministri Beqaj: Jo të lutem jo, nuk kam mundësi, se tani do të futem në mbledhjen e Qeverisë...

Gazetare A1 Report: Ndoshta vetëm një sekondë…

Ministri Beqaj: Po, urdhëro!

Gazetare A1 Report: Tek kushtet e mjekëve, sepse duket sikur ka dalë problematikë pikërisht tani, sepse të paktën në dijeninë time mënyra se si kanë punuar mjekët,
kushtet nëpër spitale, dihet që kanë qenë problematike. A po përdoret ky argument për momentin, apo ju gjykoni se vërtet mjekët janë në kushte të vështira?

Ministri Beqaj: Unë besoj se mjekët kanë të drejtën më legjitime administrative, të kërkojnë kushte shumë më të mira në të cilat punojnë, pajisje më të mira, infrastrukturë më të mirë, më shumë barna në sasi, më të larmishme, materiale mjekësore, nëse ashtu ata mund të përmbushin dhe misionin e tyre. Sigurisht, që unë besoj se situata ka ndryshuar radikalisht në këto 18 muaj, qoftë në furnizimin me barna, qoftë në furnizimin me materiale mjekësore, - ne dje bëmë analizën e kardiologjisë, që të paktën u provua nga vetë shërbimet, që në QSUT volumi i realizuar është 20-40% më shumë. Dhe sigurisht, ky volum nuk është bërë pa furnizimin më të mirë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)