Beqaj: Vijon normalisht zbatimi
i Recetës Elektronike në Tiranë

Beqaj: Vijon normalisht zbatimi<br />i Recetës Elektronike në Tiranë
Në katër ditët e para të zbatimit të recetës elektronike në Tiranë procesi është duke u zhvilluar në normalitet të plotë dhe me ritme të kënaqshme. Receta Elektronike ka gjetur përkrahjen e të gjithë pacientëve që janë ndeshur me këtë risi në këto ditë të para të zbatimit, por edhe të mjekëve dhe farmacistëve.

3039 është numri i recetave elektronike të lëshuara gjatë katër ditëve të para në Tiranë ndërkohë që 1462 është numri i atyre që janë ekzekutuar në farmaci të ndryshme të kryeqytetit.
 
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte në Qendrën Shëndetësore numër 6 në Tiranë, në zonën e Kombinatit, ku pa nga afër zbatimin e Recetës Elektronike.

Beqaj u shpreh se është dita e katërt që ky projekt po zbatohet në kryeqytet teksa theksoi se përvoja prej më shumë se një viti e zbatimit të Recetës Elektronike në qytetin e Durrësit jep siguri se ky projekt do të vazhdojë në mënyrë normale edhe në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.
 
“Dita e katërt që ka filluar zbatimi i Recetës Elektronike edhe në Tiranë. Sigurisht që, si çdo gjë e re ka vështirësitë e veta, dhe unë kërkoj këto ditë të para për Tiranën mirëkuptimin e pacientëve, të mjekëve por edhe të farmacistëve për vështirësitë e ditëve të para, por eksperienca më shumë se një vit në Durrës na jep sigurinë që ky projekt do të vazhdojë në mënyrë normale”, u shpreh Ministri Beqaj.
 
Kreu i Shëndetësisë përcolli një mesazh për çdo pacient i cili tashmë do të pajisjet me Recetë Elektronike dhe jo më në formatin letër siç ka ndodhur deri më tani.

“Dua të siguroj dhe të jap këtë mesazh për çdo pacient, kodi me pesë shenja që marrin nga mjeku i familjes mund të ekzekutohet në çdo farmaci të Tiranës, mjafton që farmacia të ketë shenjën dalluese me kontratë me Fondin (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor). Nëse mund të ndodhë, që mund të ketë raste sporadike kur ndonjë mjek i thotë pacientit që shko në këtë farmaci se ajo tjetra nuk e ofron këtë mundësi, kjo nuk është e vërtetë”, nënvizoi Ministri Beqaj.
 
Beqaj kërkoi gjithashtu nga pacientët të ndihen të sigurtë që mund të shërbehen në çdo farmaci që ka kontratë me Fondin, duke iu drejtuar lutjen që nëse ndodhin raste të tilla me mjekët, ta ndajnë me ne këtë informacion sepse na ndihmojnë që të bëjmë më mirë punën tonë dhe ti shërbejmë më mirë atyre.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike