Zona e plazhit të Spillesë në Kavajë është shitur me 140 mijë lekë të vjetra metri katror, tek shtetasi misterioz Beqar Kocaqi, në një kohë kur ky territor ka qënë në studim nga zyra e urbanistikës, për shkak se zona hyn në atë pjesë që konsiderohet si vija turistike e vendit. Personi që i ka blerë dy pasuritë figuron në QKR-rë si administrator i një lokali në rrugën “Zhan Ndark” në Tiranë, ndërkohë që nuk rezulton të ketë asnjë biznes tjetër. Bëhet fjalë për dy troje që i përkasin sipërfaqes 11 885 m2 dhe 3000 m2, të cilat pasi janë zhvendosur nga zyrtarët e hipotekës dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, u janë kthyer më pas ish-pronarëve të familjes Jenisheri dhe Spaho, të cilat kanë bërë dhe shitjen e teritorit me pisha, sipërfaqe kjo që i përket shtetit. Të dyja sipërfaqet janë blerë nga shtetasi Beqar Kocaqi me 110 milion lek të vjetra, ndërkohë që shitësit e kësaj prone kanë qënë dy shtetaset Fejzilete Spahiu dhe Minerva Jenisheri. Janë pikërisht këto dy familje që me veprimet arbitrare të ish-drejtorit të zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Bledar Dervishaj,si dhe pesë personave të tjerë që janë marrë të pandehur nga prokuroria, kanë përfituar 47 dynymë tokë në zonën e pishave në bregdet, truall ky që në fakt ka rezultuar se është zhvendosur nëpërmjet hartave topografike nga një parcelë në tjetrën. Nga verifikimet dhe hetimet e prokurorisë ka dalë dhe emri i ish-drejtuesit të AKKP, aktualisht anëtarit të KLD-së Elvis Cefa, të cilit tashmë ja kanë pushuar hetimet dhe se në gjykatë janë dërguar si të pandehur vetëm shtetasit, Bledar Dervishaj, Dhimitër Papa, Merita Gjipali, Ali Aliu, Altin Ceni, Nuri Myrtezaj. Këta shtetas akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falcifikimit të dokumentave”.

Hetimi për Cefën
Anëtari i KLD-së Elvis Cefa ka nxjerë një urdhër ku ka vendosur me iniciativë kompesimin me trrual trashëgimtarët e familjes “Jenisheri”. Burime pranë prokurorisë thanë se sipas një ligji që tashmë është shfuqizuar nga gjykata Kushtetuese, drejtuesi i institucionit kishte të drejtë të merte vendimin me iniciative për raste të ndryshme. Ky vendim është marrë në mujin Tetor 2011 nga Elvis Cefa, duke kompesuar me truall trashëgimtarët e Jenisherve. Një muaj më parë, në 13 shtator prokuroria kishte nisur hetimet rreth abuzimeve në plazhin e Spillesë, por më pas ligji për marrjen e vendimeve me iniciativë është shfuqizuar dhe për pasojë ka sjellë dhe ndërprerjen e hetimeve nga ana e prokurorisë, ndaj Elvis Cefës.

Abuzimi me trojet
Përgjatë një vit hetime, prokuroria e Tiranës ka arritur të mbledhë informacione ku rezulton se të pandehurit me veprimet dhe mosveprimet e tyre i kanë njohur të drejtën e pronësisë për sip. 47 000 m².Lidhur me këtë kompesim gjatë marrjes në pyetje Bledar Dervishaj ka pohuar se pas verifikimit të procedurës së ndjekur nga grupi i punës dhe vlerësimit ligjor të dhënë, kam çmuar se zgjidhja ligjore e dhënë është e drejtë e bazuar në ligj e prova dhe në këtë mënyrë kam miratuar vlerësimin ligjor dhe kam nënshkruar vendimin e zbardhur. Mirëpo sipas akuzës këtu nuk kemi të bëjmë me respektim të ligjit por me një shkeljen e tij, për shkak se ish-drejtori Dervishaj dhe të pandehurit e tjerë kanë kthyer ranishten dhe pyllin e pishave, truall ky që është pronë shtetërore.

(eq/im/shqiptarja.com)