TIRANË – “Borxhi publik i Shqipërisë është rritur edhe me 300 milionë dollarë më shumë në 3 muaj e parë të vitit 2013. Shtohet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë, me 140 mijë dollarë çdo orë. Në 31 mars 2012 borxhi publik i Shqipërisë rezultonte mbi 8,6 miliardë dollarë borxhe”. Këto të dhëna ka bërë të ditur sot, sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, duke u shprehur se për këto shifra i referohet Ministrisë së Financave.

Ai më tej ka shtuar se “borxhi rritet, por turizmi bie, borxhi rritet, por papunësia nuk ulet, borxhi rritet, por varfëria nuk zbutet”. Beqja, si zgjidhje të situatës ka parë largimin e qeverisë “pas 46 ditëve që i kanë mbetur” pas zgjedhjeve të 23 qershorit, “pasi modeli ekonomik është i shteruar ndaj duhet një Rilindje”. Ilir Beqja është pozicionuar me këtë rast dhe ka mbrojtur edhe listat e shumëkomentuara të deputetëve të PS-së. “Ne jemi gati ta bëjmë realitet me kandidatët tanë për deputetë në 23 qershor 2013”, u shpreh ai.


Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)