Zoti Beqja, ku e shihni këtë shkelje nga ana e INSTAT-it aktualisht?
Sipas kalendarit të botimeve, të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Institutit të Statistikave, duhej të publikoheshin në 10-ditëshin e fundit të muajit qershor produktet e mëposhtme nga ky institucion: më 21 qershor 2012, Regjistri Ekonomik i Ndërmarrjeve 2011; më 26 qershor 2012, Indeksi i Tregëtisë me Pakicë, Tremujori i parë 2012 dhe më 29 qershor 2012, Statistikat Afatshkurtra, Tremujori i parë 2012. Asnjë prej këtyre botimeve nuk është publikuar. Madje, INSTAT-i nuk ka nxjerrë asnjë lloj njoftimi që të justifikonte vonesën apo të shpallte datat e reja se kur do të publikohen këto botime, që janë detyrë e përsonelit të Institutit të Statistikave. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Qoftë vonesa në publikimin e produktit, qoftë mungesa e korrektësisë institucionale.
Kush mban përgjegjësi për këtë situatë?
Në fakt, aktiviteti aktual i INSTAT-it përmbushet në kushtet e mungesës së një kalendari ligjor detyrues për vetë institucionin. Por, në nenin 6, pika 2 të ligjit 9180 "Për statistikat zyrtare" thuhet: "Kuvendi miraton programin e statistikave zyrtare, i cili mbulon periudhën e 5 vjetëve kalendarikë. Programi botohet në Fletoren Zyrtare".
Programi 5-vjeçar për periudhën 2007-2011 është miratuar në janar të vitit 2008 me vendimin e Kuvendit nr. 153. Por, në kundërshtim me ligjin, në Fletoren Zyrtare nr.10 të vitit 2008 është botuar vetëm vendimi i Kuvendit dhe jo programi i plotë. Pra, që prej 4 vjetësh, ka filluar strategjia reale e fshehjes së shifrave dhe statistikave zyrtare. Aktualisht, prej 6 muajsh INSTAT-i punon pa program 5-vjeçar të miratuar. Kjo është përgjegjësi e Kuvendit. Ndërkohë, programi 5-vjeçar duhet të kishte ardhur në Kuvend nga kryeministri, i cili duhet ta merrte nga Këshilli i Statistikave. Ku ka ngelur ky program sot? Kush e ka fshehur? Legjislacioni për statistikat përcakton se duhet të informohet edhe Kuvendi, por, prej më shumë se 6 muajsh, deputetët nuk kanë asnjë informacion.
Pse, sipas jush, vonohen në publikim shifrat e nxjerra nga INSTAT-i?
Pasi vazhdimisht, vitet e fundit, shifrat reale përgënjeshtrojnë atë, me çka mburret kryeministri. Nesër, më 4 korrik 2012, INSTAT-i duhet të botojë shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit për tremujorin e parë të vitit 2012. Duhet të presim e të shohim se çfarë do të publikojë ky institucion, por, paraprakisht, sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, rezulton një situatë jo fort pozitive në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin përkatës të vitit 2011. Kështu, qarkullimi në tregëtinë me jashtë (importi plus eksportin) paraqitet me rënie me 2.3 për qind. Investimet publike janë në rënie me 18 për qind. Volumi i primeve bruto në tregun e sigurimeve është në rënie me 15 për qind dhe të ardhurat buxhetore nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH-ja) janë rritur me vetëm 0.8 për qind.
(gk/shqiptarja.com)