Poema “Gurgdhendësit"
Thoshte në vijim poema “Gurgdhendësit” e Ismail Kadaresë, e botuar në gazetën “Pionieri” në mars 1967: “Aherë pionierët/U ngritën e thanë/Në qytetin Berat/Trishtimet vend s’kanë.
A do lemë ne vallë/Kalldrëmet të prishen/Të mbushen me gropa/Të tilla, të përzishme?
Jo. Gurëve që ranë/Si ushtarë në shërbim/Vëndin t’ua zënë/Me gurë të rinj.
O burra çekiçët/T’i kapim me vrap, /Të gjëmojnë prapë lagjet/E qytetit Berat.
Kështu ata thanë/Dhe u vunë në rradhë/Por befas dëgjuan/ një të qeshur të madhe.
Po qeshte qyteti/Sikur do të shëmbesh/(Ju s’dini çdo të thotë/E qeshur kalldrëmesh!)
O çuna të vegjël/ Ç’po bëni kështu/ Kjo punë është e rëndë/Kjo punë s’është për ju.
Ne na kanë gdhendur/ E na kanë shtruar/Mjeshtra me nam/Të kohës së shkuar.
Po ku dini ju/Të fshehtat e gurit/Djema me kokë/ S’i bihet murit.
T’i latosh gurit/qoshet e egra/Ësht’ gjë m’e zorshme/Se sa algjebra.
Në vend që shpinën/Të na e ndreqni/Do na shëmtoni/Do na marrë dreqi.
Kjo punë s’është për ju/Kjo punë do thinja/Shkoni lozni, më mirë/Me top në lëndina.
Aherë pionierët/Ju thanë me inat/Kalldrëme, ju flisni/Si burokratë.
Ne mjeshtërinë/ e të parëve/Do ta mësojmë/Prej ustallarëve.
Dhe vrapuan të gjithë/Dhe u vunë në garë/Mjeshtërinë e gurgdhëndësit/Të mësojnë sa më parë.
Çak-çuk po i binin/Gurit të fort/Pa nisi të bindej/Çdo gur kokëfortë”.
77 strofa të Ismail Kadaresë
Më tej: “Çak-çuk çekiçi/Kalldrëmeve bije/Postjeri një letër/ të dashur po bije.
Po ç’është kjo letër/Që e sjellin me vrap/në qytetin e vjetër/ Me emrin Berat?
“Të dashur fëmijë/Ju puth me mall/Ju sot më dërguat/ një gëzim të madh.
Çekiçët tuaj/Që në Berat ranë/Gjer tek unë u dëgjuan/Këtu në Tiranë....”
Poema e Ismail Kadaresë do të vazhdonte me vargje të tjera të ndjera dhe entuziaste: “Kur çekiçi troket/Ritmikisht mbi gurë/Kjo është muzikë,/Kjo është skulpturë”.
Gjithnjë duke perifrazuar me një të shkruar të këndshëm vetë letrën e Hoxhës, e cila në stilin e saj të komunikimit me të vegjëlit ishte me të vërtetë e bukur, poema thurrte harmoninë e fjalëve me rimë të gëzueshme: “Me çekiç mjeshtrit/Në gur duke goditur/Mbi portat e shekujve/Njëkohësisht kanë trokitur./Mjeshtërinë e gurgdhendësit/E kam dashur un’ shumë/Nga zemra ju uroj/ Suksese në punë”.
Poema me 77 strofa, e cila menjëherë do të bëhej popullore jo vetëm mes pionierëve të Beratit, por gjithkund edhe në qytete të tjera, mbyllej kështu: “Po ndreqni kalldrëmet/Apo veshët më bënë?/Po ç’mjeshtra me nam/Gurët po vënë?”/”Këto zhurrma çekiçësh/Që veshi të kap/Janë të pionierëve/Të qytetit Berat”./”Çak-çuk, çak-çuk/Zhurrma nuk sos/Shekujt e kanë qejf/Alfabetin Mors./ Çak-çuk, çak-çuk/Në qytetin Berat/Gjëmojnë kalldrëmet/”Kemi lindur me fat”./Shtrënguar krejt/Të vjetër të rinj/Gurët në rresht/ si ushtarët rrijnë”.
Për Ismail Kadarenë pionierët e shkollës 8-vjeçare “7 Nëntori”, ku në fillim të vitit 1966 lindi nisma “Të bëhemi gurskalitës, të shtrojmë rrugët me kalldrëm dhe ta bëjmë më të bukur qytetin tonë muze”, nuk e kishin një shkrimtar të largët, por mjaft të afërt. Ai qe lidhur me Beratin në zbatim të komanduar të një nisme tjetër për t’i vendosur në bazë shkrimtarët dhe prej andej të shkruanin për transformimet që po bëheshin nëpërmjet revolucionit kulturor shqiptar, i cili, e spikatëm në shkrimin e mëparshëm, ishte në solidarizim me atë kinez, maocedunist, por jo i ngjashëm. Qe sadopak më liberal.
Ismail Kadare para se të thurrte poemën e tij “Gurgdhendësit”, më të dukshmen krijimtari për Beratin, (sepse më të famshmen dhe më artistiken ka pasur poezinë “Mësueset e fshatit”), kishte ardhur në shkollën “7 Nëntori” në takim me rrethin letrar të saj.
“Do të plehërojmë me pleh të lagët fekale 20 ha grurë, do të prashisim 5 ha grurë, do të grumbullojmë 20 kv glasë”...
Ndërkaq që poema filloi të mësohej përmendësh dhe recitohej në qytetin e “një mbi një dritareve”, në 7 prill 1967 Enver Hoxha pati mbajtur fjalimin e tij “Në luftë kundër besimeve fetare ka një rrugë”. Sigurisht këtë shteg ai e kish gjetur me veprimin më të pandodhur në botë, të cilin e bëri pa iu dridhur dora: mbylli të gjitha institucionet e besimeve muslimane apo të krishtera, ortodokse dhe katolike.
Berati ishte një qendër e madhe e tyre, me traditë historike shumë të gjatë e të fortë.
Ismail Kadarenë dhe pionierët gurgdhendës, të cilët pak nga pak po bëheshin të rinj dhe anëtarë të BRPSH-së, kjo gjendje e re “revolucionare” i gjeti aty, në qytetin e “një mbi një dritareve”. Por këtij subjekti në këtë cikël me dy shkrime po i mënjanohemi.
Në verën e motit 1967, ndërsa brezi i nismëtarëve të kalldrëmeve të shtruara me gurë të gdhendur pati mbaruar klasën e tetë dhe do të regjistrohej në gjimnaz, ndërkohë që iniciativën e patën mbështetur edhe klasat më të ulta, pionierët beratas pushimet mes të viteve mësimorë i përdorën për të ripërtërirë kalldrëmet e lagjes së tyre të vjetër të Mangalemit, por dhe të Kalasë, të kodrave të tjera të populluara të qytetit. Të parën rrugë që e kishin bërë gjer më tani, e patën quajtur “Pionieri”.
Kjo fushatë aksioni veror në të tre muajt pushimeve dha një rezultat befasues: në të gjitha anët e lagjes “13 shtatori”, siç quhej Mangalemi, u shtruan 2722 metra katror kalldrëme. Shkolla “7 Nëntori” shtroi edhe kalldrëmin e sheshit para muzeut, selisë së dikurshme të Qeverisë së Përkohshme Demokratike.
Ndërkohë letra Enver Hoxhës, në mbështetje të nismës së beratasve, i dërguan edhe pionierë nga Lushnja dhe Kruja. Madje edhe pionierët e shkollës “Thimi Tani” të qytetit të Beratit i patën dërguar një letër Enver Hoxhës. Tashmë nisma qe përhapur edhe në fshatrat e rrethit. Pionierët e Poshnjës edhe ata i bënë letër Hoxhës, në të cilën mes të tjerash i shkruanin me numër rendor detyrat që i kishin vënë vetes: “I dashur Xhaxhi Enver, pasi u njohëm me ...”, “Do të plehërojmë me pleh të lagët fekale 20 ha grurë, do të prashisim 5 ha grurë, do të grumbullojmë 50 kv hi, do të grumbullojmë 20 kv glasë, do të pastrojmë, mirëmbajmë dhe ndërtojmë 3 km rrugë…”
Nismën e bukur të pionierëve të Beratit “fryma revolucionare” dhe dogmatizmi politik po e bastardonin. Historia e grumbullimit të hirit nëpër familje nga sobat e tyre dhe e dorëzimit të tij çdo ditë kur nxënësit vinin në mësim, u bë e zakonshme edhe nëpër shkollat e qytetit të Beratit.
Politika kërceu në plan të parë.
Në 12 korrik Enver Hoxha kishte mbajtur fjalimin tjetër të tij: “Në revolucion partia i bën të ndërgjegjshme masat”. Në 16 shtator erdhi fjalimi i radhës: “Të çojmë në masat frymën e kongresit”. Në 30 tetor Hoxha shpërtheu tjetrin: “Revolucioni ecën kur merr pjesë rinia” dhe një ditë më pas “Nxënësit dhe mësuesit tanë janë revolucionarë”.
Ndërkohë gazeta “Pionieri” pati botuar një skicë të nipit të mjeshtrit gurgdhendës Vasil Karakashi, Gaqit, i cili pati marrë emrin e dëshmorit. Titullohej “Kështu si gjyshi”. Niste me fjalët e treguara thjeshtë: “Që kur isha i vogël më bënte përshtypje gjyshi im. Gjithë ditën me çekiç në duar rrinte. Herë rregullonte në mur ndonjë gur të rrëzuar, herë skaliste një tjetër dhe mundohej ta vendoste në rrugicën përpara shtëpisë.
Në një cep të oborrit qëndronte e varur torba me veglat e tij të punës. Sa hynte gjyshi brënda, vrapoja fshehtas tek torba, merrja njërën prej veglave dhe me gëzim të madh i bija gurit të lënë në mes. Gjyshi që brënda në dhomë qeshte...”
Nipi gurgdhendës i ri i gëzohej ndihmës që u jepte pionierëve gjyshi i tij, xha Vasili, ato kohë një pensionist 70 vjeçar, të cilit nga roli i ri që pati marrë ishte rinuar, çelur shumë në fytyrë.
Gaqi i vogël kishte dy modele jete, gjithsesi pjesë të njëra-tjetrës. Përveç gjyshit me atë shpirt të madh përkushtimi për të zbukuruar rrugët e kalldrëmta të pjesës së vjetër e të lashtë të qytetit të Beratit, qe edhe dëshmori. Jeta e tij ishte për katërmbëdhjetë vjeçarin edhe më shumë frymëzuese. Djalin e tij të madhe, Gaqin, dëshmorin e mëvonshëm, të lindur në katundin Mbreshtan në 1927, i jati marangoz e pati nxjerrë në punë për nevoja familjare që fare të vogël, sapo mbaruar katër klasat e fillores. Në fillim punoi çirak tek një kazanxhi në Berat dhe pastaj çirak te një rrobaqepës në Urën Vajgurore. Më pas u punësua në mencat e shoqërisë italiane të nxjerrjes së naftës, AIPA, ku duke qenë fshehtas i ri antifashist, punoi deri në prill 1943. Këtë kohë mori pjesë në atentate kundër dy spiunëve, u arrestua nga karabinierët dhe për mungesë provash u lirua.
Afishoi trakte në mencën italiane të fshatit Polovinë dhe pastaj në kazermat e batalionit fashist që quhej EM. Në fillim të muajit korrik 1943 u hodh në rreshtat partizane. Në fillim shkoi në çetën e Shpiragut, më vonë në batalionin e rinisë së Beratit. Kur u formua Brigada VII-të u rreshtua në kompaninë e parë të saj, batalioni tretë. Në operacionin gjerman të qershorit u plagos dhe u shtrua në spitalin e Dobrushës. Këtu u kap nga forcat e amatosura të Ballit Kombëtar, por gjatë rrugës, ndërsa po e sillnin në Berat, u iku. Megjithatë duke e ndjekur ballistët e riplagosën. Nuk vdiq, por vijoi luftën partizane, duke e dhënë jetën në 4 shtator 1944 në sektorin Polovinë, ndërsa po bëhej beteja për çlirimin e Kuçovës.
Mehmet Shehu vjen për gurgdhendësit dhe përfundon në akuza politike kundër një piktori. Ai dërgohet në prodhim.
1968-ta ishte moti i 60-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës. Kjo rrethanë parashikonte ngritje më të hovshme të revolucionit kulturor shqiptar. Në 13 shkurt në Berat, qytetin e përfshirë në të, u shfaq Mehmet Shehu. Kishte ardhur posaçërisht për t’u takuar me pionierët e nismës së shtrimit të kalldrëmeve me gurë të gdhendur. U kuptua qartë se në qytetin e “një mbi një dritarave” po përgatitej një vizitë e ardhshme e Enver Hoxhës.
Në mbledhjen e posaçme që u bë, kryeministri tha se “duke marrë parasysh atë që kanë bërë pionierët beratas, Presidiumi i Kuvendit Popullor ka dekoruar me medaljen e punës 14 pionierë gurskalitës dhe të tjerë me fletë lavdërimi”. Atëherë prej pionierëve të dekoruar, në shtyp zuri vend Thëllëza Kanani, bijë e një familjeje të thjeshtë punëtore. Ishte esmere. Midis gurëskalitësve të dekoruar ishin dhe Elda Vera, Agustina Aleksi, Kujtim Drini, Jeta Myzeqari, Kozma Vrusho, etj
U dekorua edhe xha Vasili, si edhe një mjeshtër tjetër që për gurgdhendje ndihmonte pionierët e shkollës “24 maji”. Emri i tij qe Mustafa.
Pas kësaj veprimtarie me kryeministrin të gjithë pionierët dolën nëpër qytet, duke parakaluar dhe brohoritur. Prej gëzimit u bë festë. Por që prej të nesërmes kjo u spraps nga kureshtja e qytetit. Qe një ngjarje tjetër që kishte përpirë tërë vëmendjen e beratasve, përfshi edhe pionierët gurskalitës.
Gjatë vizitës që bëri në një ekspozitë në pallatin e kulturës, ku u mbajt edhe takimi me gjestin e dekorimit, Mehmet Shehu qe zemëruar me vizatimet e një piktori dhe skenografi vendas, i quajtur Yzedin Shelegu. Kishte bërtitur me të madhe “Ky nuk është sheleg, por një çakall”.
Kjo do t’i kushtonte jo pak represion artistit, i cili menjëherë u dërgua të punonte punëtor në ndërmarjen komunale të qytetit “për të njohur klasën punëtore” dhe iu desh kohë të normalizonte marrëdhëniet me regjimin e të rikthehej në profesion.
Ndërkohë aksioni i gurgdhendësve të vegjël do të bëhej qendër tërheqjeje edhe për funksionarë të tjerë të lartë të asaj kohe. Erdhi në Berat Spiro Koleka dhe kërkoi ta shoqëronin në lagjen e Mangalemit, tek kalldrëmet e shtruara nga pionierët vendas. Ai një çast bëri vërejtjen për një pjesë të pashtruar mirë: “Rregullojeni mirë se do të vijë shoku Enver!” Pas kësaj kishte dalë në foto me gurskalitësit.
Nuk mungoi me vizitën e saj në Berat, siç dëshmon me një foto ustai gurgdhendës Kujtim Çifliku, edhe Vito Kapo. Për çdo ngjarje tjetër që vinin, qoftë edhe për një mbledhje të zakonshme me drejtuesit e rrethit, të gjithë funksionarët e lartë do të takoheshin me pionierët gurskalitës dhe do të shihnin kalldrëmet e tyre.
Duke mbledhur zaje për të shtruar kalldrëmet mbytet një pioniere
Ndërkohë makina e madhe propagandistike e shtetit punonte për t’i popullarizuar kalldrëmshtruesit e vegjël. Nuk munguan jo vetëm artikujt, emisionet radiofonike, por edhe dokumentarët. Njërin prej tyre Kinostudio e Re e bëri në Belsh, ku në atë pejsazh të bukur liqenor, për t’u xhiruar, pionierët e Beratit qëndruan dy ditë, shkëmbyen eksperiencë për inisiativën dhe lidhën miqësi me pionierë nga Elbasani.
Ndërkaq në Berat, me tekst të poetit Sulejman Mato dhe muzikë të kompozitorit Sotiraq Konçi filloi përgatitja e një operete për gurskalitësit. Aktorë e këngëtarë qenë vetë pionierët. Ishin mes tyre edhe emra që më pas u bënë shumë të njohur si Ruzhdi Karaj dhe Kozma Dushi.
Opereta niste me episodin e ardhjes së letrës së Enver Hoxhës.
Ndërkohë një përfaqësie të gurskalitësve u ndodhi të bënin të anasjellën e vizitave të të mëdhenjve të regjimit: të shkonin ata në Tiranë për t’i takuar dhe raportuar mbi punën e tyre. Po të qe e mundur do të përpiqeshin të hynin edhe në paradhomën e zyrës së Enver Hoxhën. Qenë në krye të këtij veprimi Kozma Vrusho, ndër më të spikaturit e gurgdhendësve si edhe komandanti i çetës së pionierëve të shkollës “Thimi Tani”, nxënës i klasës së shtatë, por që tashmë po fitonte njohje të madhe për zgjuarsinë dhe oratorinë e tij: Abdyl Pilafi.
Doemos me ta edhe Gaqi Karakashi. Ishte ai që bënte kujdes të mos u dëmtohej një gurgdhendje e posaçme e fjalëve “Parti-Enver”, punuar me “gushë pëllumbi”. Ky qe një gur me ngjyrë të butë e të ëmbël gri.
Por në Komitetin Qendror një instruktor që doli tek dera e hyrjesturrte , u tha se Enver Hoxha ato çaste ishte i zënë. Kështu gurgdhendjen e bukur e morën me vete. Xha Vasili e kish skalitur atë gjatë tërë një nate para se pionierët të merrnin udhën drejt Tiranës.
Ishte ende dimër kur ndodhi kjo, çfarë doemos u solli të vegjëlve një trishtim që mezi e fshihnin. Në verë ata do t’i përfshinte si dallgë një ngjarje shumë e dhimbshme. Duke mbledhur zaje buzë Osumit për të shtruar kalldrëmet njëra nga gurskalitëset, Polikseni Cilivriqi, do të rrëshqiste në ujë dhe e rënë papritur në thellësi të madhe, do të mbytej. (Vijon nesër…)
d.c./shqiptarja.com