BERAT- Një turiste ruse ka rënë preh e grabitjes në qytetin e Beratit, ndërsa ka qënë duke vizituar lagjen muzeale “Goricë”.
 
Turistja 29-vjecare, me iniciale A.G,  nga Klin në Rusi, denoncoi të martën në organin e policisë së Beratit tre të rinj për vjedhjen nga qafa të një varëse, në kohën që ka qenë duke vizituar këtë qytet.
 
Ekspertët e policisë pas marrjes së këtij denoncimi nisën menjëherë hetimet për zbulimin e autorëve të kësaj grabitje, ndodhur në një nga lagjet më të vizituara të qytetit.
 
Sot, drejtoria e policisë së Qarkut të Beratit nëpërmjet zëdhënëses Valbona Qafa bëri të ditur arrestimin e një 22-vjeçari, si dhe shpalljen në kërkim të dy 19-vjeçarëve, të cilët akuzohen për vjedhjen në bashkëpunim të kryer ndaj shtetases së huaj.
 
Nga policia u arrestua Mondi Toska, banues në qytetin e Kucovës, ndërkohë që dy të rinjtë e tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në grabitje me inicialet E.T dhe K.T, 19 vjeç, u shpallën në kërkim.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)