Berat - Një 27-vjeçar nga Vlora ka rënë në prangat e policisë së Beratit pasi në banesë iu gjet kokainë dhe kanabis (një pjesë të ndarë në doza), me qëllim shitjen.

Operacioni kapjen e të riut u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Vlorë.

Gjatë kontrollit në banesë blutë sekuestruan 1 kilogramë e 530 gramë kokainë, 7.5 kilogramë cannabis, peshore elektronike, municion luftarak, elektroshok dhe aparat celular.

"Pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e DVP Vlorë, finalizuan operacionin “Alfa”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 27 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike kokainë, cannabis dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.