Ministrja Kodheli tha se trupat e angazhuar treguan se janë pjesa më e mirë e shoqërisë, dhe se ndjehet krenare dhe irënjohëse për gjithçka kanë bërë dhe do të bëjnë edhe në të ardhmen.
“Doja t’ju falënderoja për punën që keni bërë dhe për përkushtimin e madh që keni treguar gjatë operacionit për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura, duke vënë edhe jetën tuaj në rrezik. Falënderimi im, i kryeministrit Rama dhe i Qeverisë, nuk mjaftojnë, por ju falënderojnë të gjithë qytetarët që ju i keni ndihmuar në këto ditë tepër të vështira për ta”. tha Kodheli
Më pas, ministrja e Mbrojtjes ka vijuar me një takim me drejtuesit e këtij operacioni të realizuar nga Forcat e Armatosura.
Ministrja Kodheli dhe gjeneralmajor Bazo, falenderuan efektivat e FA-së të përfshirë në këtë proces dhe vlerësuan se zinxhiri i komandimit ka funksionuar më së miri përgjatë gjithë ditëve të operacionit. Kodheli theksoi se, situata u përballua me sukses, por gjithashtu kërkoi prej tyre që të evidentojnë mangësitë dhe problematikën e hasur me qëllim që të mund të merren të gjitha masat për riparimin e tyre dhe për përballimin me sukses të situatave të tjera të ngjashme që mund të përsëriten në të ardhmen.
Në operacionet e zhvilluara këto ditë, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 414 trupa, 63 mjete transporti, 2 qendra mobile, 1 ambulancë, 2 zjarrfikëse, 6 motorbarka, 10 pompa thithëse etj. Në mbështetje të kërkesave të shtabeve të emergjencave civile të ngritura për përballimin e situatës, strukturat e FA-së u angazhuan në këto operacione:
- në operacione kërkim-shpëtimi për evakuimin e 243 banorëve,
- në operacione SAR në Memaliaj-Gjirokastër,
- në zhbllokimin nga inertet dhe mbetjet e krijuara në disa akse rrugore,
- në transportim dhe shpërndarje ndihmash ushqimore për popullsinë dhe bazën ushqimore për bagëtinë,
- në forcim argjinature në Lagunën e Nartës dhe në Urën e Mifolit,
- në uljen e nivelit të ujit, si dhe në rikornicione mbi gjendjen e portave të shkarkimit nga polumbarët e Qendrës Kombëtare të Zhytjes në ujëmbledhësin e Manskurisë në Golem të Kavajës.
Gjithashtu në këtë operacion të emergjencës civile një kontribut të veçantë kanë dhënë edhe trupa dhe mjete nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)