BERAT- Një 51-vjeçare, banore e Poliçanit u gjet e mbytur mesditën e sotme në lumin Osum. Policia në hetimet e para bëri me dije se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale.

Ballkëze Tare, u gjet e mbytur sot në bregun e lumit Osum, në afërsi të fshatit Mbrakull në rrethin e Beratit, ndërkohë që familjarët deklaruan se dy ditë më parë ajo ishte nisur nga fshati Valë i rrethit të Skraparit drejt banesës së saj në qytetin e Poliçanit.

Kanë qenë banorët e fshatit Mbrakull ata të cilët gjetën trupin e pajetë të gruas, nënë e tre fëmijëve dhe menjëherë njoftuan policinë, ndërkohë që trupi pa jetë mbërriti pranë morgut për hetime të mëtejshme.

Sipas familjarëve dy ditë më parë gruaja ishte nisur nga fshati Valë i rrethit të Skraparit, ku familja dispononte një banesë të vjetër ku gruaja pasi kishte punuar në tokat e saj ishte nisur drejt banesës në qytetin e Poliçanit.

Kontakti i fundit me familjarët mësohet se ka qenë pikërisht dy ditë më parë ku gruaja kishte deklaruar se do të linte banesën e vjetër për të shkuar pranë familjarëve të saj, por ajo nuk mbërriti kurrë në banesë.

Nga hetimet e para të policisë dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, pasi gruaja ka udhëtuar dy ditë më parë nga fshati Valë në një kohë me rrebesh dhe shi duke përshkuar një urë të shkatërruar në këtë zonë.

Dyshohet se gruaja të jetë rrëzuar gjatë rrugës duke përfunduar në ujërat e lumit Osum, ndërkohë që trupi ka mbërritur deri në afërsi të fshatit Mbrakull ku dhe u gjet mesditën e sotme.

Gjthsesi hetimet e policisë vazhdojnë dhe ende nuk ka një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.

(eç/shqiptarja.com)