BERAT - Stuhia e së shtunës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në serat e fshatit Samaticë, bashkia Dimal. Vorbulla e erës ka shkaktuar dëme në plastmasët në shtyllat mbajtëse dhe skeletin prej hekuri të cilët mbajnë të gjithë strukturën e serave.

Fermeri Dashnor Zaimi tregon se ishte pranë daljes së serë dhe për fat kanë arritur të dalin me shpejtësi pasi shtyllat e betonit filluan të bien nga stuhia. Ai thotë se kanë kaluar momente paniku.

Po ashtu, Zaimi shprehet se janë dy familje, ai ka dy dynym tokë ndërsa kunati i tij ka një hektarë.

“Ishim duke punuar kur filloi stuhia, ishim duke punuar. Unë kam harxhuar 22 milionë kam marrë kredi. Nuk e përballojmë dot nëse nuk do na ndihmojë shteti, do emigrojmë”, tha Zaimi.

Ndërsa Fiqiri Cako, një tjetër fermer shprehet se iu deshën 15 vjet që të punonte në emigrim dhe të ngrinte serën por fatkeqësisht iu dëmtua nga stuhia disa vite më parë ndërsa shpreson të marrë ndihmë.

“Shpresojmë që të na ndihmojnë, ky është apeli im”, tha Zaimi.

Samatica është një nga fshatrat e njësisë Administrative Kutalli me sipërfaqe të madhe me sera. Vetë në Samaticë llogariten mbi 5 ha me sera dhe e gjitha mbahet me të ardhura nga prodhimi që sigurojnë nga këto sera.