BERAT- Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj ka premtuar sot se për qytetin e Beratit do të ketë vëmendje më të madhe në fushën e arsimit, duke qenë një qytet me vlera historike dhe potenciale në arsim, siç është ai profesional.

E pranishme në këtë qytet, Malaj u ndal fillimisht në një takim, në zyrën e këshillit të qarkut në këtë qytet, ku bisedoi për problemet e arsimit me kryetarin e tij, Petrit Sinaj. Kryetari i këshillit të qarkut bëri një rezyme të situatës për sa i përket infrastukturës së shkollave, duke u ndalur në shkollat e komunave të Skraparit, ku janë problemet më të mëdha.

Sinaj i kërkoi zëvendësministres Malaj, që ministria t’i japë më shumë vëmendje arsimit profesional në këtë qytet, pasi potencialet ekzistojnë. Duke u ndalur në situatën e arsimit në Berat, Sinaj i kërkoi zv/ministres që të kihet kujdes në emërimin e drejtuesve të rinj të arsimit, duke lënë jashtë politikën.

Ndërsa, në fjalën e saj vetë zv/ministria Malaj u shpreh se arsimi në vendin tonë do të jetë gjithpërfshirës, do të përfshijë gjithë pjesët e popullatës për të shtuar promovimin e vlerave të shoqërisë. Malaj premtoi zhvillimin e mëtejshëm të arsimit profesional në këtë qytet nëpërmjet kurrikulave dhe krijimin e stafeve pedagogjike.

Ndërsa, për sa i përket problemit të reformës arsimore ajo u shpreh se shkolla do të jetë larg impaktit politik. Më pas ajo zhvilloi takime në institucionin e prefektit të qarkut dhe atë të bashkisë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)