BERAT - Një vrasje e kryer në vitin 1997 në Berat është zbardhur nga ana e autoriteteve të drejtësisë, ndërsa gjykata e këtij rrethi ka dënuar me 12 vjet burg autorin Bashkim None.
 
Në seancën e sotme, Gjykata pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë së Beratit, vendosi të shpallë fajtor Nonen për vrasjen me armë të Hasan Shallarit, i cili në atë kohë ishte 21 vjeç, si plagosjen e Altin Zhurit dhe Jaçe Hajdarit, ngjarje e ndodhur më 15 Prill 1997

Siç theksohet nga policia, Bashkim None e ka kryer vrasjen në bashkëpunim me Festim Jashallarin, ndërsa ky i fundit ka vdekur në vitin 1999. Sipas Prokurorisë së Beratit, për zbulimin e kësaj vrasje janë përdorur ekspertizat më mira, është kryer zhvarrosja e viktimës, janë kryer verfikimet mjeko-ligjore si dhe ekspertimet balistike. Në konkludim ka rezultuar se autor i vrasjes është Bashkim None dhe ku më datë 21 Janar 2014, Prokuroria nxorri urdhër-ndalimi për të për akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Proçesi i gjykimit u zhvillua me gjykim të zakonshëm teksa u ndeshën vështirësi gjatë procesit për shkak se familjarët e të plagosurve kanë ndryshuar shpesh dëshminë.

Por në përfundim në sajë të provave u vendos për dënimin me 12 vjet të autorit Bashkim None. Pavarësisht se masa e dënimit pritet të apelohet, Prokuroria e Beratit e konsideron një arritje të rëndësishme faktin e zbulimit të autorit të kësaj ngjarje, referuar kushteve në të cilat ishin institucionet shtetërore në vitin 1997.

Ja si ndodhi vrasja në 1997
Më 15 Prill 1997 në lagjen “11 Janari” në Kuçovë, Bashkim None dhe Festim Jashallari (vdekur në vitin 1999) ndalonin çdo makinë që kalonte pranë një lokali ku qëndronin këta dy persona dhe i kërkonin para për të vijuar rrugën nga Berati drejt Kuçovës.

Viktima Shallari, si edhe të plagosurit Zhuri dhe Hajdari, pasditen e datës 15 prill 1997 kalonin me furgon në këtë rrugë dhe nuk i ndaluan dy personave që kërkonin pagesën për vijimin e rrugëtimit. Fakti që furgoni nuk është ndaluar, ka nxitur dy autorët, None dhe Jashallari që të qëllonin me armë zjarri në drejtim të furgonit. Për pasojë, nga goditjet me armë, erdhën pasojat me një të vdekur dhe dy të plagosur.
 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)