Në të gjithë Shqipërinë përkujtohet sot 113-vjetori i Pavarësisë. Në Berat, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe besimeve fetare, familjarë të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë si dhe veteranë të luftës kanë kryer homazhe në Memorialin kushtuar Pavarësisë në lagjen "Dëshmorët e Kombit". Nën ritmet e Orkestrës Frymore të qytetit, u vendosën kurora me lule në këtë përmendore, në shenjë nderimi dhe respekti për këtë ditë të shënuar.

Kryetari i bashkisë, Ervin Ceca, ka theksuar në fjalën e tij se kjo është një ditë e shenjtë për kombin tonë, një ditë që na rikthen tek shpresa, sakrificat dhe krenaria që mbartim ne si shqiptar. Ceca ka theksuar figurën e çmuar të rilindasve beratas, që luftuan me pushkë e penë për pavarësinë e vendit tonë. "Në Kuvendin e Vlorës, Berati u përfaqësua denjësisht nga 6 firmëtarë dhe 45 delegatë, duke na bërë krenar për të parët tanë, që vendosën gurët e themelit të shtetit shqiptar", ka thënë kryebashkiaku Ceca në fjalën e tij.

“Sot jemi mbledhur mbi themelet e këtij qyteti që ka rrezatuar kulturë dhe qytetari ndër breza. Është një ditë e shenjtë për vendin tonë, që na rikthen tek rrënjët, tek sakrifica dhe krenaria që mbartim si shqiptarë. Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali dhe burrat e kombit ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën pavarësinë. Ajo ishte përmbushja e ëndrrës shekullore e një populli. Edhe Berati ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Këtu janë rritur, mësuar, luftuar dhe sakrifikuar dhjetëra figura rilindase, dijetarë, luftëtarë, klerikë e patriotë q ëme penë e pushkë frymëzuan lirinë e shtetit shqiptar. Në Kuvendin e Vlorës Berati u përfaqësua denjësisht me 6 firmëtarë e 45 delegatë duke na bërë krenarë për të parët tanë të cilët vendosën gurët e  themelit të shtetit shqiptar”, tha Ervin Ceca.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare, i zhvilluan homazhet dhe nderimet në Lapidarin kushtuar Pavarësisë dhe në lapidarin e Dëshmorëve të Atdheut 30 minuta para ceremonisë së organizuar nga pushteti vendor.

Në Kuvendin e Vlorës, Berati ka pasur delegatët e tij, të kryesuar nga Iliaz Bej Vrioni, kryeministër i vendit, ministër i jashtëm dhe figurë mjaft e rëndësishme e jetës politike dhe sociale të Shqipërisë në vitet ’20-’30.


Lajmi kryesor:

113 vite pavarësi/ Krerët e shtetit në Vlorë për ngritjen e flamurit, Vjosa Osmani krah Begajt e Ramës! Festë në të gjithë vendin