BERAT – Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto ka përuruar sot një tjetër terminal autobuzësh, këtë radhë në qytetin e Beratit. Ai theksoi se edhe flota e autobuzëve do të rinovohet dhe linjat e dyfishta, do të reduktohen.
 
“Ne kemi filluar një reformë të thellë shumë të rëndësishme për shërbimin e transportit ndërqytetas me proçeset e përmirësimit të standarteve të rrugëve siç e shikoni ju që udhëtoni çdo ditë në Berat.

Po investohet në mënyrë shumë të rëndësishme në të gjithë aksin Lushnje- Berat dhebesoj se përpara fundit të vitit do ta kemi rrugën të mbaruar,por kjo nuk mjafton. Eshtë shumë e rëndësishme që të reformohen thellë shërbimet e transportit, ato që vërtet qytetarët i prekin, që vërtet krijojnë një cilësi tjetër jete për qytetarët.

Sot kemi një situatë kaotike, ku linjat e transportit janë pa plan, janë abuzive, janë të mbivendosura, duke krijuar një kosto të madhe për operatorët dhe për qytetarët. Kjo gjë duhet të ndryshojë; ne këtë jemi duke bërë, po paraqesim një plan integral për reformimin e transportit ndërqytetas në Shqipëri.

Nga 467 linja që ka sot vendi, rreth gjysma e tyre janë të mbivendosura dhe kjo është e papranueshme.Operatorët sot shpenzojnë gati 50% të karburantit në mënyrë të panevojshme sepse mbivendosen linjat mbi njëra-tjetrën.

Imagjinoni se çfarë kostoje e madhe përoperatorët, se çfarë kostoje e madhe për qytetarët. Kjo duhet të ndryshojë.

Sigurisht, rinovimi i flotave të autobuseve është një sfidë tjetër e madhe, shumë e rëndësishme.Edhe operatorët ashtu siç kemi dijeni janë duke rënë dakort ta rinovojnë krejtësisht flotën e tyre me qëllim që autobusët që i shërbejnë qytetarëve të jenë modernë, të jenë me komoditetin qëofrohet sot në të gjitha vendet e rajonit dhe të Europës,"- përfundoi Haxhinasto.
 
Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)