Ndërkohë, kreu i Energjetikës Gjiknuri deklaroi dje edhe në Fier se negociatat vazhdojnë dhe mund të shmanget Arbitrazhi ndërkombëtar.
Ja debatet e zhvilluara dje në seancën plenare.
Berisha
“Kërkesa ime e parë ndaj jush është që zoti Haxhinasto, i cili ka drejtuar të gjithë operacionin, të vijë e të bëj një sqarim në Parlament. E dyta, ky zotëria që bën avokatin me CEZ-in ka si përfaqësues të palës shqiptare ish-drejtoreshën e CEZ-it. Së treti, zonja Hicka, Avokate e Shtetit, që mbron shtetin, ka burrin avokat të CEZ-it. Së katërti, kërkesa me insistim e arbitirit ndërkombëtar që të hapë arbitrazhin ka rënë në vesh të shurdhër. Së pesti, raporti financiar i pavarur, drafti i raportit teknik, i japin të drejtë palës shqiptare.
Së gjashti, pala shqiptare ka trefishin e shumës së kërkuar ndaj CEZ-it, por këtu vazhdohet të ndahen paratë dhe duan të dënojnë Shqipërinë me marrëveshje rreth 80-90 milionë euro, sepse arbitri ndërkombëtar është në anën e Shqipërisë dhe i ka kërkuar qeverisë që të hapë arbitrazhin. Do të ketë debat tjetër për këtë çështje në Parlament”.
Gjiknuri
“Nëse ka një gjë për të cilën t’i duhet ta mbyllësh gojën, për atë dëm që u shkaktove shqiptarëve dhe që, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbahen peng, është pikërisht çështja e CEZ-it. E para, për mënyrën se si e privatizove. E dyta, për atë skemë që bëre bashkë me ata, për të përdorur policinë, në mënyrë që kushtet tona në Arbitrazh të jenë të vështira. E treta, për mosveprim tetë muaj. Ai avokati që përmende të ka çuar edhe një letër, që është bërë edhe publike, ku i thoshte Avokates tënde të Shtetit që në tetë muaj nuk keni bërë asgjë, duke dëmtuar interesat e Shqipërisë dhe duke e çuar humbjen deri në 1 miliard dollarë.
Së fundi, ai sektor është në pikën e fundit për shkak të mosinvestimeve dhe ne duam të gjejmë një zgjidhje me interes, vetëm për t’u hapur rrugë atyre investimeve. Sepse shpronësimin nuk e bëre ti dhe nuk është çështje e kollajshme vetëm se do ti. Por, fatkeqësisht ti je si Neroni, ti di të shikosh vetëm djegie. Ti e zhyte atë sektor në krizë, e çove CEZ-in në atë pikë dhe vazhdon prapë, do që ai sektor të mbahet peng dhe ti je fajtori kryesor. Megjithatë, i sigurojmë shqiptarët se çdo zgjidhje do të jetë në favor të interesave kombëtarë dhe, mbi të gjitha, do të hapë rrugën e mbi 200 milionë dollarë investimeve, që priten në atë sektor”.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)