Berisha: Asnjë fishek i trafikuar
PS nuk kërkoi komision hetimo

Berisha: Asnjë fishek i trafikuar<br />PS nuk kërkoi komision hetimo
TIRANE - “Ju garantoj se në mënyrë absolute nuk ekziston qoftë edhe një fishek i trafikuar nga ky vend” ndërsa deputetët e opozitën nuk kanë depozituar asnjë kërkesë për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje më këtë. Kryeministri Sali Berisha ka hedhur kështu poshtë akuzat e ngritura nga Partia Socialiste në lidhje me një trafik armësh në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Deri tani në Kryesinë e Parlamentit nuk është dorëzuar qoftë edhe një kërkesë e vetme nga deputetët e opozitës për komision hetimor parlamentar. Ligji për komisionet hetimore parlamentare është i qartë si kristali, por këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi, u intereson teatraliteti, u intereson të nxinë e damkosin një institucion nga më të respektuarit në Shqipëri”, tha Berisha sot gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, “procedura e eksportit të armëve është në përputhje me ligjet e vendit dhe ligjet ndërkombëtare, janë procedura tërësisht transparente”. Por “këta zotërinj kërkojnë teatralitet përpara mediave. Kush i pengon këta të paraqesin kërkesë për komision hetimor parlamentar? Pse nuk e paraqitën?”, pyeti Berisha. “Ata e dinë se nuk ka trafik - shtoi Berisha - por nuk u intereson, u intereson shifja. E dinë se nuk ekziston asnjë praktikë e tillë”.

I KENAQUR ME REFORMEN ZGJEDHORE
“Jam shumë i kënaqur me Reformën Zgjedhore. Është në detyrimet e qeverisë t’i bëjë koncesionet maksimale opozitës në ligjin për zgjedhjet”, tha Kryeministri. Më pas ai shpjegoi se ajo që e veçon nga rivali i tij socialist është se “unë besoj tërësisht se nuk është ligji që të jep fitoren, janë zgjedhësit. Pra zoti Rama beson se fiton nëpërmjet ligjit. Dhe unë e vlerësoj faktin që ai është i kënaqur me Reformën, por më trishton pak fakti se ai kënaqësinë më të madhe e ka për ndryshimet që u bënë për Tiranën. Se këtu gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”, tha Berisha.

IMUNITETI, MOS TA SHQIPTARIZOJME
Përsa i përket çështjes së heqjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë, Kryeministri pohoi se “ligji që dorëzuam në Parlament, në çdo germe, pikë për pikë, është ai që kanë paraqitur ekspertët e Këshillit të Europës. Unë personalisht e kam lexuar dhe e kam gjetur një ligj të mrekullueshëm, një ligj ndër më të mirët që i bën nder këtij vendi dhe çdo shqiptari. ...dhe nuk na shkon ta shqiptarizojmë atë, le ta lemë ashtu siç e kanë sjellë”.

I pyetur nëse është penduar që nuk ka pranuar propozimet e Ramës për heqjen e imunitetit në vitin 2008, gjatë diskutimeve mbi Presidentin e Republikës, Berisha evitoi një përgjigje direkte. Ai shprehu urimin se siç u gjet një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhore, të arrihet edhe një tjetër mbi çështjen e imunitetit. “Ne do ulemi me ta”, tha Berisha ndërsa shprehu vullnetin për dialog.

RAMA SI HAXHI PISHMANI
Berisha u shpreh me superlativa për Kushtetutën shqiptare dhe theksoi se ajo nuk ka nevojë për ndërhyrje, përveç imunitetit. “Në 2008 me zotin Rama bëmë një Reformë Kushtetuese të një rëndësie shumë të madhe për vendin. Por ai është Haxhi Pishmani, pendohet për çdo gjë që bën. Puna ka qenë shumë mujore dhe ajo Kushtetutë, ju garantoj se është sot një dokumentat më të shkëlqyer për të drejtën kushtetuese moderne”, tha ai. Por “imuniteti është një standard i tepër në Kushtetutën tonë”.

TOPI ENDRRA E EDI RAMES
Mund të ketë një koalicion mes, FRD-së, partisë së Presidentit në detyrë, Bamir Topi, dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme? “Historiku i krijimit të kësaj force është ëndërr e Edi Ramës. Unë nuk mund t’ia marr ëndrrën Edi Ramës”, tha Berisha. Më pas ai komentoi deklaratat e Topit që e cilësoi jetën brenda PD-së së Byroja Politike. “Kur ishte vetë zv/kryetar i Byrosë Politike, nuk i dukej e tillë, kur nuk ishte tha më duket si byro politike. Mos t’ia prekim ëndrrën Edi Ramës”.

EKONOMIA
Berisha u pyet nga gazetarët nëse ka një shkëputje nga realiteti mes deklaratave të tij optimiste mbi situatën ekonomike në vend dhe ankesave të biznesit për ulje të volumit të tregtisë. “Preferoj të flas me të dhënat e institucioneve ndërkombëtare. Jo se nuk e di që në këtë vend ka një numër qytetarësh të papunë dhe se ata robtohen në hallet dhe dertet e tyre. Jo se nuk e di që ka biznese të cilat falimentojnë. Jam i vetëdijshëm se ka biznese që përballen me arbitraritete administrative. Por të gjitha këto nuk mund të përmbysin faktin se ekonomia shqiptare ka pasur një rritje 4 herë më të madhe, sipas Komisionit Evropian, se mesatarja e rajonit.

PARTITE E VOGLA
Interesimit të gazetarëve në lidhje më një rihapje të Reformës Zgjedhore për të plotësuar kërkesat e partive të vogla për korrektim të sistemit, Berisha iu përgjigj qartë duke thënë se “nuk kam unë tagër të them se do hapet përsëri reforma” pasi edhe në marrëveshjen e arritur me socialistët “çdo germe shihej me lupë”.

PD E HAPUR NDAJ KRITIKAVE
Në lidhje me zërat kritik brenda partisë, Berisha nënvizoi se “PD është parti e jalës së lirë, nuk ekziston kurrë në këtë parti dhe nuk do të ekzistojë trysnia mbi fjalën e lirë. Ne e kemi faktuar dhe ju këtë e dini të gjithë”.

REVANSH HISTORIK?
Berisha hodhi poshtë akuzat për një revansh historik dhe pretendoi se është e drejtë e tij si Kryeministër i vendit të bëjë thirrje për rishikim të historisë. “Unë nuk i kam kërkuar kujt kurrë të shkruajë këtë apo atë për historinë e vendit. Por ata që mendojnë se kryeministri i vendit nuk mund të flasë për historinë e tij janë qesharake, për të mos thënë më shumë. Historia është veprimi politik i djeshëm. Sikur politika është veprimi historik i sotëm”.

“Ky 100 vjetor nuk mund të jetë një panair lavdie - shtoi Berisha - por duhet të jetë një 100 vjetor analize. Ideja se Berisha po nxjerr në pah figura nga veriu dhe Kosova është kryekëput antikombëtare. Nëse dikush mendon se veriu dhe Kosova duhen përjashtuar nga historia, nuk ka veprim më antikombëtar se kjo”.

Sipas Berishës, “i gjithë ky pretendim se Kryeministri po na ndërhyn në histori, nuk është gjë tjetër veçse për të mbrojtur dogmën hoxhiste të mashtrimit me historinë”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë