TIRANE- Mes dokumentave të sekuestruara nga Prokuroria e Përgjithshme, që po heton lidhur me përgjegjësi të mundshme të zyrtarëve që kanë nënshkruar marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009, përfaqësuesit e Akuzës kanë administruar edhe një memorandum të një studioje ligjore të huaj. Në janar të vitit 2011, studioja e njohur ligjore ndërkombëtare Dewey and LeBoeuf LLP, në një “Memorandum për MPJ të Republikës së Shqipërisë lidhur me kufirin detar me Greqinë”, arrinte në konkluzionin që “zor se ndonjë vendim i drejtësisë ndërkombëtare mund të ishte më i keq për Shqipërinë se sa vija mesore strikte, e marrëveshjes së 2009-s”.

Kemi të bëjmë thjesht me një konsulencë, madje të porositur nga qeveria Berisha, lidhur me mundësitë e daljes nga situata, e krijuar pas bllokimit të marrëveshjes shqiptaro-greke lidhur me përcaktimin e vijës kufitare detare.