KAVAJË- I shpallur ‘non grata’ nga SHBA, ish-kryeministri Sali Berisha gjatë 'Foltores' së tij në Kavajë, tha se Gjykata e Parisit ka pranuar padinë e tij për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Madje Berisha e ftoi atë të dërgojë prova kundër tij në këtë gjykatë.

‘Gjykatësi i Parisit ka pranuar padinë e Sali Berishës. E ftoj sekretarin e shtetit Antony Blinken të dërgoje në gjykatën e Parisit, çdo provë, fakt, dokument që ka për Sali Berishën. Ju garantoj se ka zero, zero, zero. Problemin tim unë e kisha zgjidhur, dhe këtu do të them rroftë Drejtësia.’- tha Berisha.

‘Foltoren’ me banorët në Kavajë, Berisha e kishte lajmëruar, në orën 17:00, por fjalimi i ish-kreut të PD-së, u bë rreth një orë me vonese. E për këtë vonesë, Berisha fajësoi kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë se me ‘skuthin e familjes’ (Kryebashkiakun e Kavajës Redjan Krrali) i ka bllokuar rrugën për ta vonuar.

‘Me skuthin e familjes zgjodhi të më bllokojë rrugën për të më vonuar. Unë do t’i them hiq dorë nga këta akte të ulëta, sepse në mënyrë absolute do të ngujohesh në Surrel. Nxori policë për të më bllokuar rrugën’- tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha iu drejtua deputetëve të PD-së që të refuzojnë çdo marrëveshje të Lulzim Bashës me Edi Ramën, duke ju referuar 3 propozimeve për ndryshimet në kushtetutë, dhe shtoi se i vetmi që përfiton do të jetë Rama. Në ‘Foltoren’ e Berishës në Kavajë, u pa deputeti i PD-së Tritan Shehu, i cili ka dalë hapur në mbështetje të ish-kreut. Sali Berisha konfirmoi sërish se do të jetë një prej kandidatëve për kreun e PD-së.

“Ftoj çdo delegat të Kavajës, çdo delegat të Kuvendit Kombëtar të firmos që të instalojmë primaret, që të rikthejmë referendumin. Të firmosë natyrisht që të hapim një garë, në të cilën garantoj që çdo njeri që do të hyjë, do ketë një garë të lirë. Natyrisht njëri prej tyre do të jetë edhe Sali Berisha”, tha ai.

Sali Berisha dhe familja e tij në listën e zezë të SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ‘non grata’ më 19 maj 2021, si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

SHBA e akuzoi Berishën se ka përdorur retorikën e tij për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura anti-korrupsion dhe masave llogaridhënëse. Sekretari amerikan i shtetit teksa bëri të ditur vendimin e SHBA garantoi se amerikanët do të jenë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët në Shqipëri, ndërsa theksoi se Berisha ka minuar demokracinë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:46
‘Foltorja’ e Berishës përfshihet nga kaosi, demokratët i marrin mikrofonin të liruarit nga burgu në Itali, qytetari: Ju ka çuar Rama

 

‘Foltorja’ e Berishës në Kavajë u përfshi nga kaosi në një moment, teksa një qytetar mori fjalën dhe po i kërkonte llogari kryeministrit Edi Rama, pasi nuk kishte parë të bijën.

Qytetari tha se për shkak të Edi Ramës, kishte 7 vite që nuk kishte parë vajzën me sy dhe duke tentuar të tregojë se si blihet vota, zbuloi se ka qenë në një burg të sigurisë së lartë në Itali, me persona të rrezikshëm.

Në këtë moment salla kërkoi që t’i hiqej mikrofoni, duke mos e lejuar që të flasë. Më tej mes zhurmës militanti i PD-së u shpreh se Rama i ka dërguar një zonjë të lartë në burgun ku po vuante dënimin në Itali, për të konfirmuar votën e familjes së tij në Shqipëri në zgjedhje për PS.

Por teksa po tregonte këtë rast, gjithë salla reagoi edhe më fort duke i ndërprerë fjalën dhe duke mos e lejuar që të shprehë mendimin e tij. Ato arritën që t’i marrin mikrofonin militantit, ndërkohë që ky i fundit u shpreh se këto që i po i presin fjalën janë të dërguarit e Ramës për të prishur ‘Foltoren’. 

Qytetari: Edi Rama...kam 7 vite që nuk shikoj vajzën time me sy. Kam rreth 1 vit që si dëgjoj zërin! Para dy vitesh në një nga burgjet më famëkeq të Italisë dhe të botës, një i dërguar personal i Edi Ramës me vjen dhe më pyet e me kë je me Edi Ramën apo Sali Berishën dhe unë përgjigjen ja dhashë. (Dëgjohet zhurmë në sallë, i marrin mikrofonin)

Asistentja e Berishës: Ju lutem, lëreni ta përfundojë

Qytetari: O doktor…

Asistentja e Berishës: Ok, ok…Ju lutem mikrofonin…

Ora 18:54
3 propozimet e PD-së për ndryshimet kushtetuese, Berisha thirrje deputetëve: Mos e votoni, përfiton Edi Rama

Sali Berisha beson se propozimet e Partisë Demokratike për 3 amendamentet për të ndryshuar kushtetutën, janë një marrëveshje e fshehtë mes Ramës dhe Bashës, të cilën po e konkretizon ky i fundit. Nga Kavaja, ku edhe po mban ‘Foltoren’ e radhës, Berisha tha se ndryshimet kushtetuese nuk duhet bërë, pasi nga çdo marrëveshje mes PD dhe PS, fituese ka dalë gjithmonë kjo e fundit.

‘Me Edi Ramën që kontrollon votën zgjedhje në Shqipëri nuk mund të ketë, ndaj dhe ne, do i japim vendin e merituar këtij armiku të shqiptarëve. Ish-kryetari në një tentativë të fshehtë, po konkretizon marrëveshjen e turpit me Edi Ramën. Së pari, në cilën marrëveshje të këtyre 8 viteve përfituam ne demokratët? Që te të gjitha përfitoi vetëm Edi Rama. Pavarësisht nga këto, ky për të mbuluar dramën e tij, vepron te marrëveshja. Ata i janë vërsulur Kushtetutës si çakej. I bëj thirrje deputetëve të PD, të refuzojnë çdo marrëveshje me Edi Ramën sepse përgjegjësia do të jetë shumë e madhe. Edi Rama është i pabesë, njësoj si pengu që ka marrë. Nuk njohin marrëveshje. Ata të cilët mbështesin Lulzim Bashën, a mund të mbështetet një njeri i cili ka regjistruar 4 humbje njëra pas tjetrës? Të vendosësh besimin te një i pa besë nuk është mençuri. Jo. I pa besi, nuk ndërton kurrë marrëdhënie njerëzore.’- tha