TIRANË- Mereme Sela po suprizon. Mjekja nga Fushë-Kruja të cilës iu refuzua kandidimi përballë Sali Berishës në zgjedhjet për kryetarin e partisë, duke e kthyer 23 majin në zgjedhje pa garë, i është drejtuar gjykatës. Report Tv ka mësuar se Sela ka paditur Partinë Demokratike me argumentin se u përjashtua nga gara me një vendim të paarsyetuar, të pamotivuar dhe në mungesë transparence procedurale. Në padinë që Report Tv e ka siguruar, Sela thotë se përjashtimi është bërë “në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të saj statutore dhe parimit të barazisë në konkurrim.”
Ajo kërkon pezullimin e procesit të zgjedhjeve të 23 majit e më tej pranimin e kandidaturës së saj.
Sela i kërkon gjykatës së Tiranës të shpallë të pavlefshme kandidatutën e Sali Berishës, duke i kujtuar nenin 46 pika 8 të statutit të PD, i njohur si neni “Basha” që parashikon ndërprerjen e mandatit të kryetarit dhe mos-lejimin e tij për të ri-kandiduar në momentin që humb zgjedhjet e përgjithshme. Kjo shkelje statutore mund të jetë karta më e fortë e Mereme Selës për të bllokuar në gjykatë zgjedhjet për kryetar të fund-majit.
“Në rast se Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht. Në këtë rast, atij nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie. Ky parashikim ka karakter imperativ dhe ndalues absolut duke mos lënë hapësirë për interpretim alternativ. Për rrjedhojë, kandidimi i Sali Berishës është: në kundërshtim të drejtpërdrejtë me statutin, absolutisht i pavlefshëm dhe një akt që cenon rëndë integritetin e procesit zgjedhor", thuhet në padi.
Mereme Sela e kishte paralajmëruar edhe më herët kur u la jashtë garës dërgimin në Gjykatë të zgjedhjeve me një kandidat të Partisë Demokratike.
Edhe Ervin Salianji e ka kundërshtuar, por ai ka shmangur përplasjen juridike duke paralajmëruar betejë politike që do të përfshijë edhe informimin e ndërkombëtarëve dhe Partive Simotra Europiane mbi farsën zgjedhore në selinë blu.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











